Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është përplasur me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj lidhur me bashkëpunimin me terroristin serb, Milan Radojçiq, raporton EO.
Bislimi tha se si rezultat i koordinimit të tyre me Radojçiqin ai gjendet në Kopaonik në Serbi, e jo si në kohën kur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që e priste atë në zyre.
“Si rezultat i këtij koordinimi të shkëlqyer që ne kemi me Radojçiqin ai është në Kopaonik dhe i rrezikuar nga institucionet ndërkombëtare. Si rezultat i moskoordinimit edhe qasjes së pakoordinueshme që keni pasur ju ai ka qëndruar vazhdimisht në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj”, ka thënë ai.
Ndaj kësaj deklarate reagoi, deputetja Kadrijaj e cila tha se Radojçiq ka qenë në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj në cilësinë e një subjekti politik.
“Radojçiqi kur ka qenë në zyre tek Ramushi ka qenë në cilësinë e një subjekti politik. Ju keni koordinuar me të në kohën kur ka qenë i kërkuar nga organet e drejtësisë dhe në kohën që ka qenë në listën e zezë të SHBA-së”, ka thënë ajo.
Në debat u përfshi edhe deputeti i VV-së, Agon Batusha. Ai tha se në kohën sa Haradinaj ka qenë kryeministër, Radojçiq është sjellë me armë në Gjakovë.
Madje për këtë gjë ai tha se ka edhe video.
“Radojçiq në kohën sa ka qenë Ramushi kryeministër ka ardhur dhe është sjellë me armë në Gjakovë e tash është maleve atje. Ka pasur video të Radojçiqit në park atje në Gjakovë”, ka thënë ai