Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka njoftuar se faza e fundit e planifikimit për restaurimin e kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz është duke u finalizuar dhe pritet që javën tjetër të shpallet konkursi për hartimin e projektit të përgjithshëm.
Projektin e restaurimit të kompleksit Adem Jashari, sipas tij, nuk do ta kufizojnë vetëm kullat e rezistencës, varrezat dhe muzeu, por do të ketë edhe peizazhe dhe ambiente të tjera për qytetarët.
Qëllimi i këtij projekti, sipas Zogaj, është jo vetëm të nderohen luftëtarët e UÇK-së, por edhe të krijojë një hapësirë të bukur dhe rekreacionale për qytetarët.
“Tani është faza e fundit apo besoj se pritet që javën tjetër do të shpallet konkursi për hartimin e projektit të përgjithshëm. Tani do të hapet konkursi për projekt dhe besoj se do të merr një kohë sepse është një projekt bukur i madh. Tani nuk do të bëjmë sikur në të kaluarën që kemi pasur një projekt vetëm për kullat e rezistencës, por do të kemi një projekt të përgjithshëm për kompleksin Adem Jashari. Përveç kullave të rezistencës, varrezave dhe muzeut, në bazë të detyrës projektuese do të kemi edhe peizazhe dhe ambiente ku qytetarët përveç që do të vijnë për të kujtuar bejten e Jasharëve, do të kenë mundësi për të pushuar.” – ka thënë ai në emisionin “Ditari” në TëVë1