8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

Biserko kërkon verifikimin e informacioneve se në Serbi po ndërtohen shtëpi për serbët nga Kosova

- Advertisement -

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, tha se ia ka përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimet për disa informacione nga Serbia, se në rajonin e Sanxhakut në këtë vend, “janë duke u ndërtuar shtëpi dhe banesa për serbët e Kosovës, e sidomos ata nga veriu”, por theksoi se informacionet e tilla duhet të verifikohen.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës njoftoi se Kurti ka pritur në takim Biserkon, bashkë me Nenad Çanakun, ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social-Demokratëve të Vojvodinës, dhe Mark Baskinin, këshilltar i lartë i Qendrës për Dialog Humanitar.

Në komunikatën e publikuar u tha se mysafirët e njoftuan Kurtin se në Serbi flitet për një mundësi të tillë.

“Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990-të e këndej, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme, të cilat më vonë kanë rezultuar me eksod apo zhvendosje të popullsisë”, tha Biserko në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t’u kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka të mundur që popullata serbe të mbahet në veri të Kosovës”, tha Biserko.

Sipas saj, i takon shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës, ashtu si edhe organizatave civile dhe ndërkombëtare, që të verifikojnë se sa të sakta janë këto informacione.

Radio Evropa e Lirë pyeti zëdhënësin e Qeverisë së Kosvës, Përparim Kryeziu, se si synon ky institucion të procedojë me këto informacione, por nuk mori përgjigje.

Nga institucionet në Serbi nuk kishte ndonjë reagim pas publikimit të informacionit për takimin e Kurtit me Biserkon, Çanakun dhe Baskinin.

REL-i kontaktoi kabinetin e presidentit të Serbisë, Qeverinë e Serbisë dhe Zyrën për Kosovën në Beograd, por asnjëri institucion nuk u përgjigj.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe, të shpërndara në veri dhe në jug të lumit Ibër.

Numri i saktë i popullsisë nuk dihet, pasi serbët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq – e kanë bojkotuar kryesisht regjistrimin e popullsisë, që është bërë në pranverë të këtij viti.

Sipas të dhënave paraprake të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara më 12 korrik, vetëm rreth 6.500 njerëz në këtë zonë i janë përgjigjur regjistrimit, ndërsa atje besohet se jetojnë dhjetëra mijëra.

Kjo pjesë, e dirigjuar nga Serbia dhe strukturat e saj paralele atje, nuk u bindet lehtësisht vendimeve të Qeverisë së Kosovës që nga paslufta, më 1999.

Për pasojë, shpesh është bërë edhe vatër protestash e tensionesh. /REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit