Prej 24 shkurtit Rusia ka nisur sulmet e pandërprera ndaj Ukrainës. Së fundmi në kuadër të vendosjes së një marrëveshje, Rusia duket se si vendtakim për delegacionet shikon edhe Beogradin.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një prononcim të dhënë për mediat është shprehur se Rusia do të jetë e gatshme të marrë në konsideratë qytete të tjera për negociata me Ukrainën, duke përfshirë Beogradin.
“Vendi i takimit duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Ne mbajtëm tre raunde bisedimesh ballë për ballë në Bjellorusi, pasuar nga një pushim për arsye teknike, ishte e vështirë të takoheshim drejtpërdrejt. Tashmë është arritur një marrëveshje për takimin e Stambollit, e cila pasqyron një pikë gjeografike në të cilën mundësitë e të dyja palëve kanë përkuar. Edhe pse, e përsëris, sigurisht që do të jemi të gatshëm të shqyrtojmë edhe lokacione të tjera, përfshirë Beogradin”, është shprehur Lavrov.