Presidenti amerikan Donald Trump thotë se bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite të martën ishin “shumë të mira” dhe se ai është “shumë më i sigurt” për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të reporterëve nëse ukrainasit mund të ndiheshin “të tradhtuar” pasi nuk u ftuan në bisedimet në Riad, Trump tha se ata tashmë kanë pasur tre vjet për të negociuar paqen.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se ai nuk do të kundërshtonte që trupat paqeruajtëse evropiane të stacionohen në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Nëse ata duan ta bëjnë këtë, do të ishte mirë,” tha Trump, duke shtuar se SHBA “nuk do ta kundërshtonte fare këtë”.
“E di që Franca e ka përmendur. Të tjerë e kanë përmendur, Britania e Madhe e ka përmendur,” tha ai, duke e quajtur atë një “gjest të bukur”./