Presidentet Emmanuel Macron i Francës dhe Vladimir Putin i Rusisë nuk u duk se kanë arritur ndonjë marrëveshje të rëndësishme në bisedimet maratonike në Moskë të hënën në mbrëmje me qëllim të shmangies së një sulmi rus ndaj Ukrainës.
Pas bisedimeve që zgjatën pesë orë, presidenti francez paralajmëroi se të dyja palët duhet të punojnë shpejt për ta shmangur rrezikun e eskalimit, shkruan The Guardian
Tash për tash, tensioni është duke u rritur dhe rreziku i destabilizimit është duke u rritur. As Rusia, as evropianët nuk duan kaos dhe jostabilitet, kur kombet tashmë kanë vuajtur nga epidemia (e koronavirusit). Prandaj, ne duhet të pajtohemi për masa konkrete”, tha Macroni.
Të martën, ai pritet që ta vizitojë Kievin e Ukrainës, ku do të zhvillojë bisedë me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky. Macroni tha se planifikon që ta informojë Putinin përmes telefonit për rezultatin e bisedës.
Nuk është e qartë se si diplomacia e Macronit do të mund t’i plotësojë kërkesat e Rusisë që anëtarësimi i Ukrainës në NATO- të përjashtohet. Sidoqoftë, pati disa shenja të progresit nga biseda. Pa hyrë në hollësi, Putini tha se është e mundshme që të shqyrtohen “një numër i propozimeve dhe ideve (të Macronit) me qëllim të vënies së themelit për hapat tanë të ardhshëm”, tha ai.
Megjithatë, ai e goditi politikën e NATO-s për dyer të hapura, duke thënë se nga ajo përfitojnë vetëm Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu paralajmëroi se Rusia mund t’i ofrojë azil ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili po akuzohet për tradhti në atdheun e tij.