Ushtarët gjermanë që mbërritën në Groenlandë janë larguar papritur nga ishulli arktik vetëm 44 orë pas mbërritjes së tyre, raportoi gazeta gjermane Bild, duke publikuar edhe një foto nga aeroporti.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, autoritetet në Berlin kishin deklaruar se 15 ushtarët gjermanë do të qëndronin në Groenlandë për një periudhë më të gjatë se ajo e planifikuar fillimisht.
Sipas Bild, vendimi për largimin u mor të dielën në mëngjes, pa iu dhënë ndonjë shpjegim ushtarëve. Urdhri ishte i drejtpërdrejtë: “Kthehuni”. Të gjitha takimet e planifikuara për sot në Groenlandë u anuluan në mënyrë të menjëhershme.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse ky vendim i Berlinit lidhet me kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj tetë vendeve europiane, përfshirë Gjermaninë, që kanë dërguar trupa në Groenlandë, apo nëse largimi ka arsye të tjera.






