Pas vetëm një sezoni në Gjermani, Sadio Mané vendosi të transferohej në Arabinë Saudite, duke pranuar ofertën milionere të Al Nassr. Për sulmuesin senegalez, 12 muajt e fundit nuk kanë qenë saktësisht të paharrueshëm. Ai ka grumbulluar 38 paraqitje për klubin bavarez, duke shënuar gjithsej 12 gola.
Një sezon, megjithatë, i kushtëzuar nga një dëmtim që e bëri të humbasë edhe Kupën e Botës në Katar. Kështu, shumë po pyesin nëse blerja e tij ishte dështimi më i madh në historinë e Bayern Munich. Për “Sport Bild” përgjigja është “po”. Tri janë arsyet.
Dështim sportiv, njerëzor dhe financiar
Dështimi i parë është thjesht sportiv. Mané ka zhgënjyer, ai kurrë nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Duhej ta kishte magjepsur Bundesligën, siç bëri me Liverpool-in e Jurgen Klopp, por në fund sulmuesi u ul në stol. Lëndimi padyshim që ndikoi mbi të, por ky nuk duhet të jetë justifikim.
Edhe në nivelin njerëzor, Mané ishte një zhgënjim. Ai gjithmonë dukej si një “trup i huaj” te bavarezët. Një përvojë herë pas here zhgënjyese, që kulmoi me sherrin fizik (goditjen me grushte) ndaj shokut të skuadrës, Leroy Sané.
Në fund të fundit, ishte mbi të gjitha dështim financiar. Edhe pse shitja e tij rimbursoi 30 milionë euro, duke shlyer shpenzimet e bëra një vit më parë, paga e tij vjetore mbetet rreth 20 milionë euro. Asnjë lojtar tjetër në historinë e gjatë të Bayern Munich nuk ka marrë kaq shumë para dhe ka performuar kaq poshtë pritshmërive.