Për humbjen e 10% nga totali i 882 milionë eurove të parapara për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti, në Dhjetor.
Kjo është pasojë e dështimit të Kosovës për të ratifikuar në Kuvend marrëveshjet nga ky Plan – të nënshkruara me BE-në në fund të 2024-tës.
Përkundër që legjislatura e tetë, zyrtarisht, pati mundësi të ratifikojë këtë dhe afër 10 marrëveshje të tjera ndërkombëtare, deri në Mars 2025, kur u certifikua rezultati i zgjedhjeve të rregullta parlamentare, nuk ndërmori asnjë hap në këtë drejtim.
Ndërkaq, legjislatura e nëntë e dalë nga zgjedhjet e 9 Shkurtit, e cila nuk arriti të konstituojë veten deri në fund të Gushtit, ishte e paaftë të marrë ndonjë vendim.
Kësisoj, më 20 Nëntor presidentja Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin, pas dy përpjekjesh të dështuara të Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Qeverinë e re.
Kjo situatë hodhi poshtë gjithë përpjekjet që u bënë – me dërgimin e hershëm të planit të reformave dhe listës indikative të projekteve – me qëllim të përfitimit sa më shpejtë dhe më shumë nga ky plan.
Përkundrazi, nga shteti i parë në dorëzimin e plani të reformave, Kosova u barazua me shtetin e fundit, Bosnjë e Hercegovinën, duke hyrë në vitin e parafundit të planit pa marrë asnjë cent.
Ndërkohë, shtetet fqinje veçse kanë marrë mjete financiare që shkojnë në numra nëntë-shifror.
Shqipëria deri tani ka përfituar 164 milionë euro, Serbia 111 milionë euro, Maqedonia e Veriut 76 milionë euro dhe Mali i Zi 45 milionë euro.
Por, Plani i Rritjes nuk qe i vetmi që mbeti pa u trajtuar e miratuar në Kuvend.
Si pasojë e legjislaturës së dështuar, Kosova hyri në vitin 2026 me rrezikun e një bllokade të tërësishme financiare shtetërore, nëse deri në fund të Shkurtit nuk bëhet zgjatja e buxhetit aktual edhe për muajin e tretë ose miratimi i të riut.
Bllokada në Kuvend nga Prilli në Nëntor, dhe periudha paraprake Dhjetor 2024 – Mars 2025 pa mbledhje, rrezikojnë seriozisht edhe marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë 90 milionë euro, për forcimin e stabilitetit fiskal, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, ambientin e të bërit biznes dhe tranzicionin e gjelbër.
Kjo pasi, sipas afateve, marrëveshja e nënshkruar në Prill 2024 duhet të hyjë në fuqi më së largu deri në gjysmë të Shkurtit 2026.
Pasojat e Kuvendit jo-funksional i barti edhe Radio Televizioni i Kosovës, që në dy raste – një herë në fillim të verës dhe në vjeshtë – nuk pati buxhet t’i paguajë pagat e punëtorëve.






