8.6 C
New York
Wednesday, April 16, 2025

Buy now

Big Brother VIP: Spektakli i degjenerimit

- Advertisement -

Shkruan: Astrit Gashi

Kur ekranet tona pushtohen nga formate si Big Brother VIP, që e trajtojnë zhurmën si përmbajtje, konfliktin si emocion dhe vulgaritetin si normë, nuk kemi më të bëjmë me argëtim, por me një ofensivë të strukturuar kundër etikës, edukatës dhe arsyes publike. Në këtë peizazh të zymtë kulturor, fama ka zëvendësuar vlerën, ndërsa turpi është bërë mekanizëm për ndjekshmëri.

Në Shqipëri dhe Kosovë, ky realitet është pasqyruar qartë së persona me sjellje histerike, me mungesë formimi, me prirje narcisiste dhe gjuhë të dhunshme, jo vetëm që glorifikohen si “VIP-a”, por promovohen si figura publike, moderatorë dhe madje opinionistë të çështjeve shoqërore. Ekranet janë kthyer në pasqyra të deformuara ku publiku sheh atë që do t’i imponohet të pëlqejë jo atë që ka vërtetë vlerë.

Dhe kur ky model shfaqet çdo ditë para fëmijëve, vajzave të reja dhe adoleshentëve, ndikimi është real dhe i rrezikshëm. Vulgariteti ngatërrohet me emancipimin. Dhuna verbale glorifikohet si “karakter”. Përplasjet artificiale interpretohen si autenticitet. Kjo është një përmbysje vlerash që nuk ndodh rastësisht por është e mbështetur, e sponsorizuar dhe e toleruar nga të gjithë ata që duhej ta ndalonin: nga mediat, nga institucionet, nga rregullatorët dhe nga shoqëria civile.

Heshtja e shtetit përballë këtij fenomeni është më shumë se dështim është bashkëfajësi. Sepse nuk kemi të bëjmë me një program të izoluar, por me një model të institucionalizuar deformimi. Kur Ministritë heshtin, kur Këshilli i Medias nuk reagon, kur asnjë autoritet nuk ndërhyn për të mbrojtur fëmijët nga ky format, atëherë kemi hyrë në territorin e kolapsit moral.

Big Brother VIP nuk është thjesht një spektakël që prodhon “argëtim”. Është një makinë propagandistike që modelon keq, shkatërron ndjeshmërinë kulturore dhe e bën banalitetin normë. Dhe kur shoqëria pranon të udhëhiqet nga individë që në çdo realitet të shëndetshëm do trajtoheshin si problem, atëherë nuk kemi më krizë televizive – kemi krizë të ndërgjegjes kolektive.

Ky është një alarm që kërkon reagim serioz. Sepse nëse nuk vendosim kufij sot, nesër do të kemi një shoqëri që s’mund të dallojë më as të drejtën nga e shtrembëra, as vlerën nga zhurma.

Ky nuk është vetëm një format televiziv por është pasqyra e një shoqërie që po mësohet të adhurojë shkatërrimin e vet.

Të ngjashme

Të fundit