Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 50 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, prej fillimit të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, konflikt që vazhdon duke vrarë me dhjetëra mijëra njerëz, duke dëbuar miliona nga shtëpitë e tyre si dhe duke kthyer shumë qytete në gërmadha.
Por disa republikanë, të cilët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vitin e ardhshëm, kanë shprehur shqetësime për koston e lartë të luftës dhe vendet evropiane nga ana tjetër po vuajnë për shkak të problemeve me energjinë.
“Ndërsa i afrohemi vitit të ri, është e rëndësishme për popullin amerikan dhe për botën, të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ju zoti president për luftën e Ukrainës dhe nevojën për të vazhduar të qëndrojmë së bashku deri në vitin 2023”, tha zoti Biden gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Biden tha se kurrë më parë nuk e kishte parë NATO-n dhe Bashkimin Evropian më të bashkuar sesa në rastin e Ukrainës.
“Ne po diskutojmë për sanksione e trysni ligjore mbi vendin terrorist Rusinë”, tha zoti Zelenskiy.
Më herët presidenti Joe Biden zhvilloi një takim me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, të cilin e garantoi për mbështetjen e Uashingtonit mes sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Para së gjithash u faleminderoj, është një nder i madh të jem këtu”, i tha zoti Zelenskiy presidentit amerikan gjatë takimit në Zyrën Ovale.
Presidenti ukrainas, i cili tha se kishte dashur të vinte në Shtetet e Bashkuara më herët, falenderoi presidentin Biden, Kongresin dhe amerikanët e zakonshëm për mbështetjen e dhënë ndaj vendit të tij.
Gjatë takimit zoti Zelenskiy i dha zotit Biden, një medalje për merita ushtarake, ofruar nga një ushtarak ukrainas. Zoti Biden premtoi t’i jepte në këmbim ushtarakut ukrainas, një medalje nga një prej fushëbetejave ku janë përfshirë trupat amerikane, Iraku, ku ka luftuar edhe djali i tij Beau Biden.
“Ti je njeriu i vitit“, i tha Presidenti Biden zotit Zelenskiy, duke iu fereruar vendimit të revistës “Time” për ta vendosur atë në kopertinë.
Zoti Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin po përshkallëzon sulmet ndaj civilëve dhe po përpiqet të përdorë dimrin si armë.
Zoti Zelenskiy tha se do të zhvillonte bisedime me zotin Biden për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Kievit kundër sulmeve shkatërruese të Rusisë.
Po sot administrata e Presidentit Biden njoftoi një pakete të re ndihme ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin edhe sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.
Ky është udhëtimi i parë i presidentit Zelenski jashtë vendit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti. Pas takimit me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë ai do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan.
Presidenti Zelenski dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë ushtruar trysni ndaj udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të avancuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin e tyre në luftën kundër Rusisë. ‘Patriot’ është sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi do t’i japë Ukrainës për ta ndihmuar atë në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse.
Presidenti Zelenski të martën bëri një vizitë të guximshme dhe të rrezikshme në vijën e frontit në Bakhmut, në provincën e Donetskut, ku lavdëroi trupat ukrainase për “trimërinë, rezistencën dhe forcën e tyre” ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna me artileri.
Një video e publikuar nga zyra e tij për vizitën në Bakhmut tregon se si ushtarët i japin zotit Zelenski një flamur ukrainas që ai la të kuptohej se do t’ia jepte udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara.
“Djemtë më dhanë flamurin tonë të bukur ukrainas me nënshkrimet e tyre. Nuk jemi në një situatë të lehtë. Armiku po i shton forcat dhe njerëzit tanë janë më të guximshëm dhe kanë nevojë për armë më të fuqishme. Do t’ia japim atë nga djemtë Kongresit, Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne u jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre, por ajo nuk mjafton”, tha ai.
Ndihma e re amerikane, që përfshin edhe sistemin e raketave ‘Patriot’, sinjalizon një zgjerim nga Shtetet e Bashkuara të llojit të armatimeve të avancuara, që do të dërgojnë në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve në rritje me raketa nga Rusia në javët e fundit.
Vendimi për dërgimin e sistemit të raketave ‘Patriot’ vjen pavarësisht kërcënimeve nga Ministria e Jashtme e Rusisë se furnizimi i Ukrainës me këtë sistem të avancuar raketash do të konsiderohej një hap provokues. Moska ka thënë se personeli ushtarak që do të shoqërojë sistemin e raketave ‘Patriot’ do të ishte një objektiv legjitim i goditjes nga forcat ruse.
Kremlini paralajmëroi të mërkruen se rritja e furnizimit të Kievit me armë nga Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përkeqësonte luftën shkatërrimtare në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi në mënyrë të paligjshme 10 muaj më parë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zgjerojnë furnizimin me armë dhe me llojet e armëve për Ukrainën. E gjithë kjo, natyrisht, çon në një përkeqësim të konfliktit dhe, në fakt, nuk është një shenjë e mirë për Ukrainën”, u tha të mërkuren gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Nuk është e qartë saktësisht se kur pritet të mbërrijë në vijën e frontit në Ukrainë sistemi i raketave ‘Patriot’, pasi trupat amerikane së pari do të duhet të stërvisin forcat ukrainase se si të përdorin këtë sistem të teknologjisë së sofistikuar. Stërvitja mund të zgjasë disa javë dhe pritet të kryhet në Gjermani. Deri më sot, të gjitha stërvitjet e forcave të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë kryer në vendet evropiane.
Për vizitën e Presidentit Zelenski në Shtetet e Bashkuara janë marrë masa të forta sigurie. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Presidentit Zelenski jashtë vendit, që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, që ka shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe shkatërrimin e shumë qyteteve në mbarë vendin.