Për 16 vjetorin e Pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka marrë deri tash letrën më të rëndësishme, atë nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Në letrën e tij, vërehet një diskurs më i ftohtë i Biden se herave të tjera, shkruan lajmi.net.
Kësaj radhe, njohja reciproke përmendet me Serbinë, mirëpo vetëm si zhvillim eventual.
Gjithashtu, Biden i bën thirrje Osmanit që Kosova ta zbatojë Asociacionin, si pjesë e tërësisë së marrëveshjeve të kaluara që janë arritur në Bruksel.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dërgoj urimet më të përzemërta për ju dhe për popullin e Kosovës për nder të Ditës së Pavarësisë, 17 shkurtit. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm, të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë. Një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke. Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”, thuhet në letrën e Biden.