Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për kontroll të armëve.
Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.
Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë.
Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin.
Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.
Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.