Pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili tani pritet që ta bëjë betimin e tij si kryeministër i Maqedonisë, profesori i historisë, Nuri Bexheti, ka theksuar se ky është një moment shumë i rëndësishëm në thellimin e demokracisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Profesori Bexheti, në emisionin FIVE, ka përmendur “Marrëveshjen e Përzhinës”, e cila parasheh që pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni, një koalicion duhet të ketë një qeveri teknike me mandat 100-ditor.
Kryeministri i kësaj qeverie tashmë duhet të jetë Talat Xhaferi.
Ai ka theksuar se ky është një moment i rëndësishëm për shqiptarët, pasi është hera e parë që një kryeministër shqiptar ka këtë pozitë në Maqedoni.
“Është një moment shumë i rëndësishëm në thellimin e demokracisë në Republikën e Maqedonisë. ‘Marrëveshja e Përzhinës’, parasheh që çdokush që do të bëjë koalicion pas zgjedhjeve së Maqedonisë në 100 ditët e fundit, duhet të ketë rotacion, kryeministri duhet të lëshojë rrugë për një kryeministër teknik, ministri i Punëve të Brendshme duhet t’i takojë partisë opozitare, dy zëvendësministrat e tjerë dhe ministria e Punëve Sociale do ta marrë opozita, kjo është formula që është respektuar deh po respektohet edhe kësaj radhe”, ka deklaruar Bexheti.
Profesori Bexheti ka vlerësuar se shqiptarët janë faktori vendimtar dhe stabilizues në Maqedoni.
“Një marrëveshje e arritur në tavolinë mes fituesve të zgjedhjeve që kanë bërë një koalicion duhet të respektojnë marrëveshjen dhe nuk është duke ndodhur asgjë përveçse është duke u respektuar një marrëveshje. Në rastin konkret për shqiptarët është risi sepse është hera e parë që një kryeministër shqiptar, ne themi 3 muaj, por mund të qëndrojë edhe më gjatë, ndoshta edhe pak më gjatë për shkak të procedurave zgjedhore, fushatës zgjedhore, ngërçit politik që mund të krijohet”, ka thënë tutje ai për emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se kryeministri shqiptar në këtë situatë duhet t’i bëjë përgatitjet për të shkuar në zgjedhje, duke theksuar se ai mund të mbetet në detyrë më gjatë për shkak të procedurave zgjedhore dhe ngërçeve politike.
“Ai është kryeministër, në variantin më të keq nëse shteti rrëshqet në një krizë të thellë, ai është tamam kryeministër, por ai e përgatit vendin për të shkuar në zgjedhje, e bën mbarëvajtjen vazhdon me punën e përditshëm, por nuk ndodh që të merret vendime lidhur me buxhetin, pasi është i miratuar apo të themi ndonjë seancë të jashtëzakonshëm, por vazhdon puna si zakonisht”, ka deklaruar ai.
Mes tjerash, profesori Bexheti ka njoftuar për ngjarjet e ardhshme, duke përmendur zgjedhjet presidenciale në fund të prillit dhe zgjedhjet parlamentare në një distancë kohore prej dy javësh.