Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ishin të pranishëm në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës 02/2025, të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila u mbajt në Sallën e Sporteve “Bill Clinton”, në Ferizaj.
Në adresimin e tij, në këtë ceremoni të veçantë, kryeministri rikujtoi se në këto katër vitet e fundit janë investuar mbi 300 milionë euro, dhe mbi 2700 ushtarë e oficerë të rinj janë rekrutuar, duke theksuar se ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multietnike. Ai tha se përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por ushtria e Kosovës me shumë të rinj e të reja që si ju ballëhapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sypatrembur në krah. Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm.
“Të dashur ushtarë, me betimin tuaj nga sot po hapni një etapë të re të jetës në shërbim të vendit dhe e di mirë se nuk është e lehtë pesha e uniformës të cilën e bartni me nder, por pikërisht përballë vështirësive vlerësohet madhështia e njeriut. Të zgjohesh çdo mëngjes me këtë mision në mendje e me atë pasion në zemër është vërtetë fisnike. Është ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja, andaj çmoj lartë investimit tuaj shpirtëror, gatishmërinë tuaj për t’iu përkushtuar me jetë atdheut tonë, për të siguruar jetën e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e rinisë e të fëmijëve, dëshmi kjo e një zemre të fortë dhe karakteri vetëmohues”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai i uroi rekrutët për diplomimin, duke u siguruar që gjithmonë do të kenë përkrahjen e popullit, shtetit, qeverisë dhe e tij, si dhe falënderoi familjarët e rekrutëve të pranishëm aty për mbështetjen që u kanë ofruar, e që është e jashtëzakonshme për shkak se e pazëvendësueshme.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuar Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral Jeton Dreshaj,
Të nderuar oficerë,
Të dashur rekrutë, familjarë dhe të pranishëm, të nderuar partnerë,
Qershorin e ngjarjeve të rëndësishme historike, organizimeve politike e ushtarake të luftës për liri e pavarësi, po e përmbyllim këtë vit, duke i shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe 350 ushtarë të rinj.
Pothuajse tre dekada më parë kur edhe u formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për pjesëtarët e UÇK-së, forcë shtytëse ishte ideali çlirimit, kurse atdhedashuria, motivi përballë brengës së sëndukut të municioneve do të mund t’i shihej fundi. Ndërsa sot, secili nga ju është i pajisur me armë personale, pa shqetësimin e mungesës së municioneve, sepse ushtria jonë është e furnizuar më shumë se kurrë me arsenal ushtarak, sisteme të armatimeve nga më modernet, gjersa pritet që brenda dy viteve të ndërtohet edhe fabrika e parë shtetërore për prodhimin e municioneve në Republikën e Kosovës. Me mbi 300 milionë euro investime në këto katër vitet e fundit dhe mbi 2700 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar, ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale me përbërje multietnike.
Ëndrrën e gjithë atyre që sakrifikuan për liri, sot po e jetësoni ju rekrutë të dashur. Ushtria e Kosovës e ngritur mbi sakrificën e dëshmorëve, në ballë të të cilëve është kryekomandantit Adem Jashari, e në një simbiozë perfekte edhe me doktrinat e vendeve anëtare të NATO-s, ka arritur nivelet e një ushtrie profesionale të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere, e gatshme për të marrë pjesë në cilindo operacion shumëkombësh.
Të dashur ushtarë, si rekrutë ju tashmë keni përvetësuar themelet e artit të luftës, duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës, që zbatohen si për veten tuaj ashtu edhe për grupin që do i përkisni. E mbi të gjitha keni arritur përgatitjen fizike, sigurinë mendore dhe emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit, elemente këto kyçe për ndërtimin e besimit te njëri tjetri.
Ndërtimi i urave të komunikimit dhe bashkëveprimit është element thelbësor jo vetëm për funksionimin përbrenda ushtrisë, por dhe për mirëmbajtjen e marrëdhënieve diplomatike ushtarake dhe strategjike me vendet partnere, dhe gjersa bota po përballet me kërcënime nga më të ndryshmet, shteti ynë ka thelluar bashkëpunimin me aleatët e partnerët tanë strategjik. Kosova për herën e tretë këtë vit ishte nikoqir përveçse pjesëmarrëse e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të udhëhequr nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Defender Europe 2025”; nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë me Republikën e Turqisë, si dhe po këtë vit arritëm marrëveshje trelaterale për Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Kemi shumëfishuar bashkëpunimin me Shqipërinë, njëzetfishuar me Kroacinë, ndërkaq kemi thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë.
Përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por ushtria e Kosovës me shumë të rinj e të reja që si ju ballëhapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sypatrembur në krah. Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetërorë i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm.
Të dashur rekrutë,
Me betimin tuaj nga sot po hapni një etapë të re të jetës në shërbim të vendit dhe e di mirë se nuk është e lehtë pesha e uniformës të cilën e bartni me nder, por pikërisht përballë vështirësive vlerësohet madhështia e njeriut. Të zgjohesh çdo mëngjes me këtë mision në mendje e me atë pasion në zemër është vërtetë fisnike. Është ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja, andaj çmoj lartë investimit tuaj shpirtëror, gatishmërinë tuaj për t’iu përkushtuar me jetë atdheut tonë, për të siguruar jetën e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e rinisë e të fëmijëve, dëshmi kjo e një zemre të fortë dhe karakteri vetëmohues.
Për fund dua të ju uroj diplomimin dhe dijeni se e keni përkrahjen e popullit, shtetit, qeverisë dhe timen gjithnjë përjetë. E gjithashtu falënderoj familjarët e juaj të pranishëm këtu sot për mbështetjen që ju kanë ofruar, e që është e jashtëzakonshme për shkak se e pazëvendësueshme.
Uroj që të jeni me shëndet e me forcë për krejt atdheun tonë në çdo kohë!
Gëzuar, e qofshi gjithmonë faqebardhë!