Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka njoftuar sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një vendim të rëndësishëm për garantimin e integritetit të votimit nga mërgata.
Sipas tij, bashkëatdhetarëve që regjistrohen për të votuar përmes postës do t’u dërgohen fletëvotimet origjinale në adresat e tyre të banimit, duke siguruar një proces më të besueshëm dhe të mbrojtur nga keqpërdorimet.
Gjoshi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka tentuar të pamundësojë këtë mekanizëm të sigurt, duke synuar – siç thotë ai – përdorimin e fletëvotimeve të dërguara përmes e-maileve, një proces që sipas tij do ta bënte votimin lehtësisht të manipulueshëm dhe pa kontroll të qartë mbi adresat përfundimtare të dërgesave.
“Mjeshtrit e manipulimeve nga Vetëvendosje deshtën që ky proces të mos ketë integritet”, ka shkruar Gjoshi, duke e cilësuar vendimin e KQZ-së si një fitore për mërgatën dhe për standardet demokratike të vendit.
Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe transparencës së votimit jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit./






