Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka kabinetin më të madh në rajon.
Në një konferencë për media të mërkurën, ai prezantoi një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar, duke theksuar se numri i të emëruarve politikë arrin në 453 persona.
Sipas tij, kjo përbën një rritje të madhe të stafit politik dhe një ngarkesë të panevojshme për administratën shtetërore.
“Kapaciteti total i kabineteve sipas nivelit të numrit gjithsej të këshilltarëve dhe stafeve: 49 kryeministri, 64 te zëvendëskryeministrat (total 2 plus 1 në zyrën e kryeministrit), 238 të emëruar politikë me një nënshkrim nëpër ministri, te zëvendësministrat 102. Shihni, kjo qeveri i ka 453 njerëz që mundet me i emëru politikisht. Nuk po e thotë Besnik Tahiri. Po e thotë rregullorja 04/2026, e cila për mendimin tim përbën numrin më të madh, madhësinë më të madhe të emërimeve politike të kabineteve që e ka dikush”, u shpreh ai.






