1.7 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Besnik Berishës i vazhdohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim, me të cilin ua ka vazhduar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, avokatit Besnik Berisha, arrestin shtëpiak të dyshuarit Ismet Salihu, si dhe masën e paraburgimit pesë të dyshuarve tjerë Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu.

Vendimi ndaj shtatë të dyshuarve është marrë të martën, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Sahit Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se refuzohet kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, e datës 14 korrik 2023, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Besnik Berisha dhe të njëjtit i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Kjo masë, avokatit Berisha do t’i llogaritet nga 13 korriku 2023 deri më 12 gusht 2023.

Sipas aktvendimit të marrë më 8 gusht 2023, është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj e datës 14 korrik 2023, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Ismet Salihu. Andaj, Gjykata të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Të dyshuarit Salihu, kjo masë do t’i llogaritet nga 13 korriku 2023 deri më 12 gusht 2023, si në aktvendimin e 16 korrikut 2023.

Kurse, të dyshuarve Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtëve, masa e paraburgimit do t’iu llogaritet nga 13 korriku 2023 deri më 12 gusht 2023, si në aktvendimin e 16 korrikut 2023.

Pesë të lartpërmendurve, masa e paraburigmit iu caktua konform nenit 184, par.1, nënpar 1.1. dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se në seancën dëgjimore, prokurori Rasim Maloku ka mbetur në tërësi pranë kërkesës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Skender Musa, Fitim Shabani, Fehmije Gashi-Bytyqi, Nusret Islami, Florim Shefqeti dhe Hysnije Hashi, kanë kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturve të tyre, duke konsideruar se kërkesa është e pabazuar dhe se nuk ekziston dyshimi i bazuar se të mbrojturit e tyre kanë kryer veprat penale  të cilat dyshohen se i kanë kryer. Avokatët kanë propozuar që ndaj të mbrojturve të tyre të caktohet ndonjë nga masat alternative me ligj.

Gjithnjë sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të pandehurit Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu, kanë deklaruar se i përkrahin në tërësi deklaratat dhe propozimet e të mbrojturve të tyre.

Kurse, i pandehuri Besnik Berisha me mbrojtësit e tij, avokatët Naim Rudari dhe Dafina Osmani, kanë kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se nuk ekziston dyshimi i bazuar se Berisha ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet në kërkesën e Prokurorisë, dhe nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburigmit. Andaj, gjykatës i kanë propozuar të refuzojë kërkesën e Prokurorisë si të pabazuar.

Më pas, gjyqtari Krasniqi pasi shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë dhe të gjitha shkresat e lëndës, si dhe ka dëgjuar edhe pretendimet e palëve, ka marrë vendim për caktimin e masave të lartpërmendura.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pasi ka shqyrtuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore ne Ferizaj për caktimin e masës se paraburgimit, dhe te gjitha shkresat tjera te lendës, si dhe i ka dëgjuar edhe pretendimet e palëve te paraqitura ne seancën dëgjimore, me dt. 16.07.2023 ka marr Aktvendimin 2023: 154126 duke konsideruar se ekziston dyshimi i bazar se te pandehurit kane kryer veprat penale si ne dispozitivin e aktvendimit dhe konform nenit 1 84 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3, te KPPRK-së, te pandehurve Nexhat Xhafa Jeton Vunigi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu, u ka caktuar masën e paraburgimit ne kohezgjatje prej një muaji, konform nenit I81 par. 1 nenpar. 1.1 dhe .1.2 te KPRK-se te pandehurit Ismet Saliu i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ne kohëzgjatje prej një muaji, dhe konform nenit 175 par. I nenpar 1.1 dhe 1.2 te KPRK-se te pandehurit Besnik Berisha i ka caktuar masën ndalimi i ofrimit te vendit apo personit te caktuar ne kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se pas pranimit të aktvendimit të 16 korrikut 2023, mbrojtësit e të pandehurve dhe Besnik Berisha si dhe Prokuroria kishin paraqitur ankesat lidhur me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj. Më pas, Apeli me aktvendimin e 26 korrikut 2023, aprovoi kërkesat e mbrojtjes dhe Besnik Berishës, duke e anuluar aktvendimin e Themelores dhe çështjen e ktheu në rivendosje, ndërsa ankesa e Prokurorisë ishte konsideruar jolëndore.

Gjithnjë sipas vendimit, Apeli kishte vlerësuar se akvendimi i Themelores ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Pas kthimit të lëndës në rivendosje, gjyqtari i procedurës paraprake, duke u bazuar në sugjerimin e apelit dhe analizoi kërkesën e Prokurorisë dhe provat shtesë që kjo e fundit i kishte paraqitur, shkresave të lëndës dhe pretendimet e palëve, konsideroi se qëndrojnë arsyet për caktimin e masave të sigurisë dhe ato të paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penlae për të cilat dyshoehen.

Andaj, Gjykata vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masave të lartpërmendura.

Kundër këtij akvendimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit