Besimtarët katolikë mbarë botës, sot festojnë Krishtlindjet.
Në Kosovë, mesha kryesore është mbajtur pas mesnatës në Katedralen e Prishtinës.
Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri-tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.
Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.
“Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit dhe ata që janë duke u përgatitur për pagëzim që të bëhen vegël paqeje në dorën e Zotit, ta duan çdo njeri e çdo krijesë me zemrën e Krishtit, mu ashtu siç ai na deshi neve. Të sjellim dashuri në këtë kohë plotë urrejtje, pasi që po jetojmë thatësinë e shpirtit pa dashuri dhe helmin e zemrës njerëzore me urrejtje qofshin ato politike, fetare apo etnike. Sa luftërat e pakuptimta nëpër botë janë duke ndodhur sot, sa rrënimet e panevojshme gjithandej ku ka luftëra dhe sa dëme anësore përjetojnë të gjithë ata që e duan lirinë. Dhe sa jetë njerëzish humbin në gjithë vendin. Gjëja më e trishtueshme e kësaj urrejtje është se humbja e jetëve njerëzore nuk vlerësohet fare, thjesht llogaritet me numra”, theksoi Dodë Gjergji.
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar për nder të festës së Krishtlindjes.
Ai ka thënë se Krishtlindja është festë e paqes dhe e dashurisë.
“Bija e popullit tonë Shën Nënë Tereza, ishte ajo që e rrezatoi mësimin edhe në ditët më të pashpresa, e që me veprat e saj na ftoi në dashurinë, përgjegjësinë, kujdes e përpikëri ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë. Është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore. Është Krishtlindje çdoherë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson në ata që nuk kanë shpresë në aftësi fizike dhe shpirtërore”, u shreh kryeministri.
Edhe Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, teksa uroi të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, e para e shtetit kujtoi, siç tha ajo, karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij, të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë, atë të Nënës Terezë.
“T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të”, tha ajo.
Festa e Krishtlindjeve
Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si i biri i Perëndisë.
Pas darkës, besimtarët katolikë me qirinj në duar i janë drejtuar Katedrales së Shën Palit, ku kanë pritur mes lutjes mbërritjen e mesnatës që shënon 25 dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit.
Narrativa tradicionale e Krishtlindjeve, që përshkruhet në Testamentin e Ri, thotë se profecia parashikoi lindjen e Jezusit në një stallë në Betlehem, si biri i Jozefit dhe Marias.
Në fakt dita dhe muaji i lindjes së Krishtit nuk dihen, por rreth shekullit të katërt kisha perëndimore zgjodhi datën 25 dhjetor, si një simbolikë për të përkujtuar ardhjen e Zotit në tokë në formën e njeriut, për të shlyer mëkatet e njerëzve. /Nacionale/