Profesori universitar Dashamir Bërxulli, i ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, komentoi situatën aktuale politike dhe institucionale, duke e konsideruar të vështirë rikthimin e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe duke theksuar se zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.
“Tani e kam të vështirë të di raportimet e mediave se cilën anë mbajnë, por personalisht më duket e vështirë që kjo situatë të ketë kthim mbrapa tek procesi i zgjedhjes së presidentit. Më duket e vështirë, sepse në rivotimin e parë duhet të jenë 80 veta të pranishëm për të zgjedhur presidentin”, tha Bërxulli.
Ai shtoi se zhbllokimi institucional nuk do të mund të rikthehet lehtë, duke paralajmëruar se nuk do të ketë një mundësi të dytë për të negociuar këtë proces.
“Unë mendoj se zgjedhjet janë të pashmangshme në këtë pikë që jemi, dhe mund të ketë një pajtim ekstremisht të vështirë”, vijoi profesori.
Bërxulli theksoi se mungesa e një konsensusi politik e bën të domosdoshme hapjen e rrugës për zgjedhje të reja, si mënyra e vetme për të tejkaluar krizën aktuale institucionale.






