Sulmuesi i krahut të majtë, Bernard Berisha, do ta vazhdojë karrierën në Shqipëri, te skuadra e Dinamo Cityt. Futbollisti kosovar është transferuar si lojtar i lirë, pasi ndërpreu bashkëpunimin me klubin rus Akhmat Grozny, ku luajti për tetë vite.
Berisha ishte pjesë e Akhmatit që nga viti 2017, duke zhvilluar 199 ndeshje zyrtare, me bilanc prej 28 golash dhe 23 asistimesh.
“Bernard Berisha është lojtari më i ri i Dinamo City. Sulmuesi i njohur kosovar sjell eksperiencë ndërkombëtare te ‘Nëndetësja’ jonë. Ai ka luajtur me Kombëtaren e Kosovës dhe në Rusi. Vjen si një vlerë e shtuar për skuadrën dhe trajnerin Ilir Daja”, ka njoftuar klubi në rrjetet sociale.
33-vjeçari, përpara aventurës në Rusi, ka luajtur në kampionatin shqiptar me Besën e Kavajës dhe Skënderbeun e Korçës.