Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një prononcim për Indeksonline ka folur në lidhur me situatën aktuale të çmimeve të derivateve të naftës, duke theksuar se çmimi përcaktohet kryesisht nga bursa ndërkombëtare dhe organizata prodhuese OPEC.
Sipas Berjanit, gjatë javës së kaluar është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve në import, megjithatë kjo nuk është reflektuar me lëvizje të mëdha në çmimet me pakicë në tregun vendor.
“Sa i përket çmimeve aktuale në Kosovë, dizelli sillet nga 1.15 deri në 1.28 cent për litër, ndërsa benzina nga 1.17 deri në 1.28 cent,” deklaroi Berjani për Indeksonline.
Ai ka bërë edhe një krahasim me vendet e rajonit, duke theksuar se çmimet në Kosovë janë dukshëm më të ulëta. Në Shqipëri, sipas tij, çmimi i dizellit është rreth 1.76 cent, ndërsa benzina 1.79 cent për litër. Në Serbi, dizelli shitet me rreth 1.67 cent dhe benzina me 1.69 cent.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës aktualisht po furnizohen me çmimet më të lira të derivateve në rajon, më lirë se në Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi. Përjashtim bën Maqedonia e Veriut, e cila ka akcizë më të ulët për rreth 22 cent,” u shpreh Berjani.
Ai shtoi se lëvizjet në bursë janë të mëdha dhe për këtë arsye është e pamundur të paragjykohen çmimet për ditët në vijim. Megjithatë, Berjani siguroi qytetarët se nuk ka nevojë për panik.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për shqetësim, sepse Kosova nuk do të ketë krizë të derivateve, as para festave të këtij viti, pavarësisht embargos ndaj Rusisë,” tha ai.






