Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë raportimit në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, i ka quajtur shpifje raportimet në mediat sllovene se i njëjti ka qenë i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash.
Para deputetëve, Berishaj ka thënë se kjo çështje ka qenë në media vetëm një ditë para zgjedhjeve në Slloveni dhe se nuk është përmendur më asnjëherë, çka sipas tij është bërë për të ndikuar në zgjedhje.
“Këtu quhet aferë, quhet rast, mirëpo quhen media ndërkombëtare, ka qenë një prononcim i një portali, një portal që e ka peshën sa ia jep peshën, natyrisht nuk jam marrë me problemin e peshës së tyre, jam marrë me problemin, i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Republikën e Sllovenisë. Në kulmin e debatit, i cili po zhvillohej, e unë duhet të shtoj se qysh në moshën 16-vjeçare jam në Slloveni. Atje kam studiuar, kam punuar kohë të gjatë si profesor, ne njihemi me gjithë klasën politike në Slloveni, prej ish-kryetarit të shtetit që ka qenë shok i klasës ime, prej kryetarit të qeverisë, por këto nuk kanë lidhje të mëdha. Lajmin i cili ma kanë kumtuar mua, unë e nuk e kam shikuar, mirëpo mundësia teknologjike ta bën që ta kthesh prapa dhe deri në atë natë ka qenë niveli i përqindjes së njërës palë në zgjedhje dhe tjetrës ka qenë 21%. Pyet, a njihni profesor Martinin, po e njoh, ju jeni fotografuar me të, gjëra koti të cilat lidheshin me një shpifje të cilën e ka folur ai portali”, ka thënë ai.
Berishaj ka thënë se është bërë padia ndaj portalit dhe se tani është në procedurë.
“Unë e kam hedhur në gjyq në Qarkun në Lubjanë për shpifje portalin, i cili ka shpifur, sepse liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkupton lirinë për të folur kush çka t’i bie ndërmend, por lirinë e çdonjërit me një të vërtetë të argumentuar dhe nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet, pastaj mundësia e tij gjithmonë ekziston që të bëjë padi. Unë e kam bërë atë padi, është në procedurë, andaj ishte vetëm një moment në mediat ndërkombëtare, do të thotë atë natë është përmend në Lubjanë dhe kurrë më, sepse kanë ndodhur zgjedhjet, asnjë televizion, as në agjencinë shtetërore të lajmeve, as televizioni shtetëror as privat, nuk janë marrë me atë problem. Shumicën e gazetarëve tanë i kam pasur studentë këtu dhe u them kur mungon lapsi për të shkruar, baca Martin ta blen lapsin, shkruaj sa të duash, sepse unë jam për atë që në Kosovë të vlejë fjala e lirë, unë për media kosovare nuk kam pushkë, ata e kanë të drejtën të shkruajnë siç kërkohet, por është mirë që të argumentohet”, ka thënë Berishaj