Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha vendimin e Ministrisë së Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova e ka cilësuar si tendencë për të kontrolluar gjithë sistemin informativ në Kosovë.
Berisha në emisionin “Ditari” në Tëvë1, theksoi se ky vendim nga ana e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pasi mediat në Kosovë janë opozitarët më të fortë të kësaj qeverie.
“Problemi është i përballjes së qeverisë me mediat, se faktikisht opozitarët më të fortë tani janë mediat. Mediat janë një ndër mekanizmat që e kontrollojnë demokracinë në këtë vend, pra këta janë një mekanizëm që e kontrollojnë mënyrën nëse e kanë atë editim të pavarur, nëse s’janë të financuar. Pra tani shtrohet çështja, unë besoj se shumë shpejt ky do të fillojë t’i shohë të gjitha këto media të zhurmojnë në adresë të qeverisë në mënyrë të papërshtatshme do me thënë, që nuk e përkrahin politikbërjen dhe kjo është një dukuri e regjimeve totalitare. Këta e kanë mjetin e propagandës, pastaj fillojnë paranojën ajo është veti e karakterit të diktatorëve, qoftë të regjimeve diktatoriale fashiste që i ka njohur historia deri më sot dhe këta kur i fshijnë paranojat atëherë fillojnë me shpikë armiq imagjinar”, tha Berisha.
Deputeti i PDK-së tha se Qeveria Kurti armiqësinë e filloi fillimisht me spektrin politik për ta vazhduar me mediat dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë prandaj po them se këtu ka një tendencë për ta kontrolluar, për ta futur në kontroll komplet sistemin informativ në Kosovë edhe si shumë të tjera kapje të shtetit me borde, me agjensione, me stërkeqe të zhvillimit ekonomik, dhe krijimi i armiqve imagjinar. E filloi me spektrin politik, e kaloi me mediat, i ka quajtë me epitete të turpshme duke i krahasuar se janë në shërbim të Serbisë, pastaj i bëri armiq edhe Amerikën”, tha ai.
Teksa sot në Prishtinë është mbajtur protesta për mbështetjen e mediumit të Klan Kosovës, pas pezullimit të certifikatës së biznesit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë” është mbështetur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile.
Ditë më parë MINT e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit publik, ndërsa muajin qershor kishte ngritur kallëzim penal ndaj këtij mediumi.
Kallëzimi penal është ngritur mbi pretendimet se në certifikatën e biznesit , Kosova paraqitet pjesë e Serbisë, konkretisht te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia.
Në anën tjetër Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin, ku një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.
Pas këtij vendimi Klan Kosova ka reaguar duke thënë se nuk do ta pranojë në asnjë rrethanë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit, gjithashtu ka bërë të ditur se çështjen do ta dërgojë në gjykatë. /teve1.info./