Avokati, Besnik Berisha, ka thënë se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në dhomat e paraburgimit në Hagë, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, po përballen me standarde të panjohura deri me sot.
Ai tha se, standardet me të cilat përballet Thaçi dhe të tjerët nuk i një historia e asnjë nga tribunalet deri me sot.
“Thaçi dhe të tjerët janë duke u përballur me standarde të pa lexuara të pa shkruara të pa njohura në asnjërën nga historitë e këtyre tribunaleve deri më sot”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.
Tutje, për rastin e Gucatit dhe Haradinajt, tashmë të dënuar nga Gjykata Speciale, Berisha tha se ata janë viktima pasi janë këshilluar keq.
“Gucati dhe Haradinaj janë viktimë e juristëve të cilët i kanë këshilluar keq. U kam thënë që dalja me lista siç dilnin atëherë, është e kundërligjshme”, shtoi avokati.
Sa i përket intensifikimi të punës se Speciales, Berisha tha se, duhet parë me shqetësim.
“Intensifikimi punës duhet të merret si shqetësim, por në anën tjetër është e vetmja rrugë. Ata do të përpiqen të bëjnë gjithçka. Kur them ata, Smithi me të tjerët do të përpiqet të bëjë gjithçka sepse, përveç skandaleve në rrjedhjen e informacioneve, kanë pasur edhe prokuror në kuadër të kësaj gjykate, madje prokurori i cili ka qenë i ngarkuar me çështjen Thaçi, ka qenë prokurori që kurrë në jetë e vetë nuk ka intervistuar të pandehur në procedurë”, vijoi tutje ai.
Me tej, ai tha se shqetësimi është tek fakti që, sipas tij, po tentohet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të faktohet si një ndërmarrje e përbashkët kriminale.
“Përderisa po luftohet për ta faktuar që UÇK-ja është një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në anën tjetër të gjitha krimet që janë pranuar edhe nga liderët e ushtrisë edhe nga komandat e kanë pranu që kanë ndodhë gabime. Sot task forca e Prokurorisë Speciale ka një qëllim për ta faktuar që struktura ishte vertikale dhe jo horizontale siç është parashtruar, pra ata po punojnë natë e ditë për ta faktuar që UÇK-ja ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale, ky është shqetësimi”, përfundoi Berisha.