Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në debatin e sotëm në Kuvend për sigurinë tha se sa i përket sigurisë nacionale në kontekst të politikës së jashtme dhe veprimeve të përgjithshme në diplomaci mund të përkufizohen si: dëmtim i imazhit diplomatik të vendit, paqëndrueshmëri, mos konsistence dhe humbje e besimit deri dhe te megaskandali i shndërrimit të diplomaicsë në mekanizëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Scanner.
Sipas tij, kjo qeveri po rrezikon sigurinë nacionale e më gjerë duke bërë obstruksione, në projektet Amerikane për rajonin/Kosovën.
Fjala e plotë!
Nga fjalët e deputetëve po shoh se debatin për sigurinë e kemi fokusuar në komponentët që më së paku e cenojnë sigurinë brenda shtetit.
Përkundrazi janë garantues dhe provajduese të sigurisë nacionale dhe ndërkombëtare duke e mbështetur paqen, si Forcat Ushtarake apo ato Policore.
Nocioni SIGURI, përfshinë një gamë të gjerë të rreziqeve dhe kërcënimeve që mund ta cenojnë atë dhe që burojnë nga shumë fusha zhvillimorë të një shoqërie që s’do të thotë medoemos të vijnë nga sulmet ushtarake apo nga fenomene që përbëjnë vetëm detyra policore.
Prandaj, do të duhej të shohim sot një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj fenomeneve dhe dukurive që e cenojnë sigurinë, si komponentë kyçe e zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë.
Zhvillimet që kanë krijuar qarje në sigurinë nacionale burojnë pothuaj nga të gjitha fushat e zhvillimit shtetëror, Arsimi, Shëndetësia, Zhvillimi ekonomik, Energjetika me theks, Bujqësia, Politikat sociale, Politika e jashtme dhe diplomacia, sporti, kultura etj fusha zhvillimore të shtetit e shoqërisë në përgjithësi e dukuri tjera devijante.
Këtu duhet rangu si më e ndjeshmja dukuria e shkeljes së integritetit ligjor të shtetit, filluar me Kushtetutën dhe moszbatimin e vendimeve të kushtetueses.
Kjo dukuri ka ndodhur që nga hierarkia më e lartë e shtetit e deri të ministrat përkatës dhe debati shfajësues e arsyetues i deputetëve të mazhorancës në këtë kuvend.
Këtë dukuri e kanë vu në pah edhe shumë raporte të mekanizmave ndërkombëtare e vendor të kontrollit të demokracisë.
Sa i përket sigurisë nacionale në kontekst të politikes së jashtme dhe veprimeve të përgjithshme në diplomaci mund të përkufizohen si: dëmtim i imazhit diplomatik të vendit, paqëndrueshmëri, mos konsistence dhe humbje e besimit deri dhe te megaskandali i shndërrimit të Diplomaicsë në mekanizëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pastaj janë edhe zhvillimet që rëndojnë gjendjen sociale të qytetarëve si: varfërimi i skajshëm; shtrenjtimi i çmimeve, jo vetëm atyre esencial për mbijetesë; mos sjellja e Ligjit të pagave dhe si rezultat kemi pagat më të ulëta në rajon dhe qytetarët më të varfër; mos lejimi i qytetarëve që në krizë sociale të tërheqin mjetet nga Trusti, si huazim me detyrim kompensimi me afat nga ana e qeverisë.
Keqqeverisja dhe keqmenaxhimi ne veçanti në Sektorin e Energjisë, e në veçanti KEK-u, ku nuk janë duke u bere shërbimet e nevojshme të mirëmbajtjes e riparimeve për shkak të bllokimit të aktiviteteve të prokurimit mund të shkaktoj avari ne KEK , e për ketë të rrezikohet siguria e vendit, andaj ju paralajmëroj qeverinë, menaxhmentin e KEK të ndërmerrni masa , kryeni mirëmbajtjen ashtu si duhet dhe me kohë, krijoni rezervën energjetike tani se mund të rrezikoni vendin.
Pastaj, ndalja e projekteve edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për çka e keni sjellë në pikëpyetje arritjen e objektivave të planifikuar sipas planit për tranzicion, i dakorduar me Aleatët.
Aspekt tjetër i rrezikimit të sigurisë, janë Kompanitë private të cilat janë në kolaps dhe e vetmja shpresë janë bashkatdhetarët që do të vijnë e ta rrisin konsumin, si të vetmen formë për rritje ekonomike të kësaj qeverie.
Pra, jo mirëqenie e zhvillim por plaçkitje të qytetarëve dhe shtetit përmes çmimeve të lartë e këto çmime të larta i mundëson qeveris të bej propagandën e mashtrimin se gjoja u rriten të hyrat nga taksat, TVSH dhe akcizë.
Kjo po nxitë ikjen më masiv të qytetarëve, si në vitin 2014, kur ju e organizuat eksodin në kombinim me njerëz të spektrit politik të regjimit të Vuciqit dhe ky trend po vazhdon me aplikimet e mbi 200 mijë qytetarëve në muajt e parë të vitit.
Maskarada e pengimit të komisionit hetimor ndërlidhur me korrupsionin energjetik, shpërfaqi druajtjen tuaj për çka u krijuan dy komisione si “pazar demokratik” më shumë mbi parimin popullor “dora lanë dorën dhe të dyja lajnë fytyrën” po gaboheni, se populli na sheh e lexon me miliona sy, kurse ne i shohim vetëm me sytë e interesit tonë për pushtet.
Nuk mund të kamuflohet storia e bashkëpunimit me mafian energjetike të nipave të Gjeneralit Ratomir Hamovic, Gjeneralit Llazarevic, Gjeneralit Stanishic, Gjeneralit Rankovic, etj. Me të cilët kasta juaj qeverisëse e ish OJQ-istëve që përbëjnë ekipin qeverisës të Kryeministrit, të cilët metojne se edhe nëse arrihet marrëveshja finale me Serbinë më njohjen e ndërsjellë, kanë për qëllim që Kosovën ta lënë të varur ekonomikisht nga Serbia.
Prandaj Marrëveshja e zotimeve të Ëashingtonit, kishte pikërisht këtë synim, eliminimin e rrethanave që do të mbanin peng Kosovën nga Serbia pasi që ta përmbyllim konfliktin politik me të.
Një zhvillim, që ka krijuar një rrethanë të re sigurie në territorin ku gravitojmë si vend, është edhe lufta në Ukrainë e cila u duk se i dha perspektivë Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në politikat e tyre për shtrirje të perimetrit zhvillimor përkatësisht të sigurisë.
Kjo situatë la të kuptohet se do të përshpejtohet edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe do të nxitë paqen edhe në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Nga bashkësia ndërkombëtare gjegjësisht NATO, u reagua prerë, dhe njeriu modern e ka kuptuar se, më mirë është të vdiset duke u mbrojtur, se sa të vdesin të poshtëruar, atëherë edhe Kosova, duhet të jetë në gjendje gatishmërie për një provokim të mundshëm nga Serbia.
Shtrohet pyetja se, çfarë masa mori kjo qeveri për qëndrueshmëri në të gjitha aspektet në raste të një destabiliteti.
Një gjë duhet bërë e ditur se Kosova nuk është ajo e viteve 1998/99. Sot, Kosova e shqiptarët do të përgjigjen si një komb, me një ekonomi e fuqi ushtarake më të madhe, edhe një sulm i Serbisë mbi Kosovën, do ta prishte paqen, e ne kësaj here do ta shfrytëzonim situatën me i ndreqë gabimet historike, e luftën do ta bënim në qarkun e Nishit.
Në rrethanat ku ndodhemi, është dashur të veni alarmin në diplomaci, duke kërkuar mbrojtjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës, me masa konkrete sigurie dhe ekonomike.
Qeveria duhet të zbatoj marrëveshjet e arritura, me garantim ndërkombëtarë të SHBA, në frymën e ligjeve dhe kushtetutës, jo të vazhdohet me reformatim të dialogut dhe marrëveshjeve, që rrezikojnë themelet juridike-ndërkombëtare të shtetit.
Kjo qeveri po rrezikon sigurinë nacionale e më gjerë duke bërë obstruksione, në projektet Amerikane për rajonin/Kosovën.
Alarmuese, në politikbërjen e kësaj qeverie është edhe zgjidhja që po ofroni për çështjet nacionale, siç është Asociacioni i komunave veriore të vendit dhe paralelja me statusin e shqiptarëve ne Kosovën Lindore, që tashmë me gabimet tuaja e keni venë në rrezik, në emër të zgjidhjeve hibride të reciprocitetit
Ka vite që zhurmoni për hartat e thikat mbi harta, për ndërrime kufijsh e shkëmbime territoriale. Por, këto ditë doli në shesh e vërteta juaj, mbi këto tema, përmes kryeideologut tuaj akademik, që rielaboroi projektin për shkëmbim territoresh, doktrinë politike që ju po e vëni në jetë me ofertën tuaj si qeveri për me bë asociacion me komuna shqiptare të Kosovës lindore, e si shkëmbim reciprok me lejua Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, duke i kthyer shqiptarët atje nga popull autokton dhe pronar në tokat e tyre historike në pakicë kombëtare, duke i barazuar me kolonët që përmes kësaj formule po i bëni pronar të tokave që kurrë historikisht s’kanë qenë.
Kurrë nuk njehë historia ndonjë shpërngulje me dhunë të shqiptarëve në drejtim të Serbisë, apo moment që Ne e kemi okupuar atë toke me luftë dhe se ata shqiptarë janë shkaku i asaj lufte aty.
Nuk njeh historia dyndje shqiptarësh.
Shqiptarët në ato treva, janë banor vendas që kur Zoti e ka bërë tokën.
Historikisht Ne shqiptarët nuk kemi truall tjetër përveç Ilirisë.
I kemi bere ballë Serbisë pa institucione, pa përgatitje, pa ndëshkim të tradhtarëve, e tash e kemi forcën, i kemi institucionet, e kemi ligjin, jemi veteran të luftërave për liri, e nuk falim tradhti.
Për më keq, reformatimi i dialogut, si temë joprioritare për ju, refuzimi ndaj asociacionit me vërejtjet e kushtetueses, për të kërkuar për një alternative tjetër, është pikërisht ajo që po pretendohet nga mentorët tuaj, ideatorët e Republikës e tretë.
Takimi i fundit në Bruksel pikërisht me 13 Maj, mund ti faturohet rastësisë, por kjo më shumë po lexohet si një ruajtje profetike e vazhdimësisë politike tradicionale serbe, që nga Versaja e ’19-es, deri te ideja e Jugosllavizmit qoftë si “mbretëri” apo “federatë ballkanike” etj.
Prandaj mentori dhe këshilltari i parë i Kryeministrit dhe ekipit negociues, e shpalli ditën e çlirimit, me 14 Shkurt, falë Zotit që nuk u shpall 19 Maji.
Por, mos harroni se në këtë datë, ndodhi edhe rezistenca e parë për shkatërrimin e jugosllavizmit, pikërisht në Drenicën e Tahir Mehes. Mbi atë gjak e luftë e bënë betimin edhe Adem Jashari dhe UCK, se nuk do të rritët më farë e jugosllavizmit n’këtë dhe.
Nëse nuk keni alternativë apo jeni sjellë në pat pozicion në vendimmarrje, atëherë referojuni historisë jo të largët politike të Kosovës dhe do të shihni se ka alternativë politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare jo vetëm në Kosovë por edhe në përgjithësi në Ballkan.
“Shteti i Republikës së Kosovës i shtrirë në territore dhe toka natyrale shqiptare”.
Në konsistencë me ketë qëndrim të presidentit Rugova që u mbështet në Referendumin e vitin 1991 dhe mbështetet ne të drejtën historike, etnike, natyrale, politike por edhe juridike ndërkombëtare ndaj, si doktrinën politike, “të drejtën e shqiptarëve të territoreve lindore të Kosovës nën Serbi, për t’iu bashkuar Kosovës”, e promovoj dhe mbështeti si zgjidhje politike edhe Presidenti Thaçi.
Ne nuk mund të jemi Rusi sa i përket të drejtës politike për atë territor, sepse ajo është vetëm doktrinë e fuqisë, e dhunës ushtarake, pa asnjë të drejte.
Jemi kundër mbështetjes së drejtësisë në forcë.
Por, të drejtën mund ta kërkojmë.
Edhe nëse nuk ka zgjidhje për momentin historik, mbetet konflikt i hapur dhe e drejta e brezave për ta kërkuar.
Por po pranuam kompromise me shkëmbime, dhënie tokash etj. e humbim ketë të drejtë.
Kjo është si rezultat i zgjidhjeve politike me ritmin e rrugës të politikanëve të pa pjekur ose të shitur.
Raportet njerëzore në Botë po ndryshojnë, do të ketë ridefinime gjeostrategjike, ushtarake e politiko-shtetërore. Ndaj duhet të stabilizohemi si komb.
Dikush në këto ridefinime flet për mes forcës ushtarake, dikush
flet përmes forcës ekonomike si Gjermania e Mbretëria e Bashkuar, dikush përmes forcës njerëzore, si Kina, etj.
Ne si Kosovë e shqiptarë, duhet ta bëjmë përmes ALEANCAVE, duhet t’ua themi se këto janë synimet tona.
Duhet lenë mënjanë fjalët e kota “Rimat” e “Sofizmat” si ato të fundit që u dëgjuan në parlament në debatin për dialogun, e që i rrënojnë këto aleanca.
Ky vend ka nevojë të udhëhiqet nga patriot të Kushtetutës.
Baza e edukimit patriotik është në shkolla, plan programet mësimorë, me theks në historinë kombëtare, që duhen rishikuar si pjesë konsekuente e politikave nacionale.