Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë. Kosova në takimin e nesërm do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ndërkaq Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.
E këtë çështje deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha po e sheh si një “skenar” i cili sipas tij, do të përfundojë me një marrëveshje e cila do ta legalizojë dinarin në komunat veriore të vendit.
“Fakti se në bisedime shkon kryenegociaori i Serbisë, Petkoviq me drejtorin e Bankës Qendrore tregon se edhe kjo çështja e dinarit është një skenar i cili do të përfundojë me një marrëveshje, që e legalizon dinarin e Serbisë në komunat ku ka komunitet serbë shumicë. Dhe që mendohet se mund të jenë pjesa e Zajednicës, siç e kanë pranuar këta në vitin e kaluar”, tha Berisha në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Derisa sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në Kushtetutën e vendit, nuk guxon të refuzojë asnjë çështje që negociohet në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësuesit evropianë.
“Qeveria e Kosovës bazuar në Kushtetutë, nuk guxon të refuzoj asgjë që ka të bëjë me çështje që negociohen në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësit evropianë. Me Kushtetutë është i autorizuar drejtpërdrejtë kryeministri dhe personat e tij, që ai i cakton. Nuk guxon me refuzu kryenegociatori dhe kryeministri, nuk guxon. Banka është institucion i pavarur, banka nuk mundet me zhvillu bisedime”, tha më tej Berisha.