Anëtari i kryesisë së NISMA-s, Zafir Berisha, ka kritikuar deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij, po menaxhohen nga koordinatorja e Komiteteve të kësaj partie, Dejona Mihalin.
Berisha tha se menaxhimin nga Mihali e ka pranuar edhe kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, teksa tha se me të drejtë ngrihen dilema për misionin e VV-së.
“Vet kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, ka thënë ‘nganjëherë’, e kur thotë ‘nganjëherë’ ndodh edhe ‘nga dy herë’”.
“Pra, qeveria dhe institucionet e Kosovës menaxhohen nga individ që nuk i dihet adresa dhe nuk janë as shtetas të Kosovës dhe me të drejt ngrihen dilema për misionin e këtij subjekti politik i cili është mazhoranc në vend”, tha ai në “Edicioni Special” njofton Klankosova.tv.
Berisha më tej e komentoi edhe vendimin e Gjykatës Themelore për lirimin nga akuzat për kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, për gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë gjatë vitit 2016, për të cilin tha se është vendim qesharak.
“Është qesharake, sepse edhe ai vet tha se është befasuar. Ai nuk e ka mohuar që ka gjuajtur gaz lotsjellës. Aktakuza ka qenë për mbledhje të kryesisë së kuvendit, por në sallë të kuvendit unë vet kam qenë ai që si deputet e kam ruajtur derisa e ndezke, bile dridhej derisa ia qëllojke. Iu dridhte dora me atë shkrepsën ku e ndezke gazin”, tha ai.