Hisen Berisha nga PDK-ja ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se vepron në të njëjtën linjë politike me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e çuar vendin drejt “dezorganizimit kushtetues”.
Ai tha se Osmani dhe Kurti janë në të njëjtë agjendë anti-shtet.
“Osmani është në të njëjtën agjendë anti-shtet me Kurtin dhe në çdo mekanizëm kanë provuar që ta çojnë drejt dezorganizimit kushtetues këtë vend. Osmani është e para që ka bë shkelje, e para ka qenë kur ka ardhë në pushtet si presidente duke e shkelë Kushtetutën, u konstatua kontrabandimi i votave para kamerave brenda sallës së Kuvendit deri tek e fundit në inaugurimin e oficerëve në Ferizaj doli dhe tha ‘ka hapësirë për votim të fshehtë’. Aktgjykimi i dytë ia konfirmoi se nuk bën të ketë hapësirë për votim të fshehtë. Pra Osmani është interpretuese e qëllimshme në mënyrë diametrike e normës kushtetuese dhe me automatizëm në një shtet me identitet ajo s’mund të jetë presidente”, ka thënë Berisha në Tëvë1.
Sipas tij, në çështjen e konstituimit të Kuvendit, qëllimi i presidentes Osmani ka qenë “hendekepimi” i Kushtetutës dhe pengimi i institucioneve.
“Kështu që vendimi i dytë ia dëshmoi kësaj zonje presidente dhe atij kryeministri, se ky shtet është gardiani kryesor për mbrojtjen e këtij shteti”, përfundoi Berisha.