Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar takimet e tij në Pogradec, ku ëhstë ndalur veçanërisht te largimi i shqiptarëve nga vendi.
Berisha tha se që nga viti 2014 deri më sot, 744417 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në hapësirën e BE-së, pra 27% e popullsisë.
Ndërkohë, ai u bëri thirrje edhe intelektualëve, shkrimtarëve dhe shkencëtarëve që të jenë avokatë të interest publik.
“Me vlerësimin tim më të madh për Pogradecin, pogradecarët, kapacitetet e tij të jashtëzakonshme intelektuale dhe kontributet që ky qytet ka dhënë dhe jep sot në kulturën, artet, mendimin tonë. Sot dhe gjithnjë, ka një diskutim për rolin e intelektualit në shoqëri. Çdo intelektual, pasionin e tij të madh ja kushton krijimeve të tij, profesionit dhe aty janë kontributet e tij madhore. Çdo intelektual ka një thelb të përbashkët dhe kjo është mbrojtja e interesit publik, të qytetarëve.
Kjo është thirrja për çdo intelektual, shkrimtar, poet, piktor, shkencëtar. Cili do qoftë ai, e ka një detyrim që të jetë një avokat i pamposhtur i interesit publik, të qytetarëve. Në këtë drejtim, e konsideroj këtë në këto momente të vështira që kalojmë, sepse sot është e qartë dhe e pamohueshme që ne kalojmë një periudhë rrokullisje të madhe.
Nga viti 2014 deri më sot, 744 417 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në hapësirën e BE-së, pa përfshirë Kanadanë, SHBA, e vende të tjera jashtë BE-së. I bie 27% e popullatës. Përveç luftës, kombet nuk i kanë larguar me kaq shpejtësi nga vendi i tyre në proporcione të tilla.
Ka një periudhë tjetër, 2007-2014, në të cilën, sipas statistikave të kësaj qeverie, popullata u rrit nga viti në vit. Nuk është se nuk ikën, por popullata rritej, sepse vinin shumë dhe largoheshin shumë më pak. Nga 2014, një largim i tillë nuk i ndodh asnjë kombi tjetër në Europë. Shpeshherë ja kalojmë dhe Sirisë që është në luftë”, tha Berisha.