Hisen Berisha, deputet i PDK-së, në një intervistë, ka thënë se darka me Kurtin ka qenë për të caktuar datën e zgjedhjeve, si kusht për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, por që ai ka mashtruar PDK-në.
Ai thotë se partia të cilës i takon ka kërkuar zgjedhje në fund të qershorit apo me 7 korrik dhe kjo tani sipas tij s’është e mundur.
“Darka ka qenë ekskluzivisht për shpëtimin e Kosovës duke caktuar datën e zgjedhjeve, kusht ka qenë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Unë kam dyshuar në Albin Kurtin dhe kam pritur që do t’i mashtrojë dhe ajo po del se ka qenë thjesht një mashtrim, pra nuk ka një mundësi të caktimit të zgjedhjeve, të shpërndarjes së Kuvendit. Pse shpërndarjes e jo dorëheqjes së qeverisë sepse Albini duhet të dalë e të thotë se ka dështuar dhe po jep dorëheqje dhe këtë ai nuk e bën, qoftë edhe e vërtetë sepse ka dështuar në të gjitha aspektet. Por formula më praktike dhe që jep rezultat është shpërndarja e Kuvendit pastaj qeveria mbetet në detyrë deri në përgatitjen e zgjedhjeve e data e zgjedhjeve ka qenë e pretenduar fundi i qershorit ose 7 korriku”, shprehet deputeti.
Berisha fajëson partitë tjera opozitare që nuk e përkrahjen shpërbërjen e Kuvendit dhe vendi s’mund të shkojë në zgjedhje.
“Tani më kemi hyrë në afatet e ngushta dhe kjo më s’mund të ndodhë. Mos uniteti i opozitës ka sjellë deri këtu, edhe unifikimi i opozitës, pa përkrahjen e mazhorancës s’mund ta çojë vendin në zgjedhje sepse nuk i kemi numrat”, thekson ai.
Ai madje formulën e LDK-së dhe AAK-së që Kurti të japë dorëheqje e sheh si shpëtim të kryeministrit
“Formula e dy partive opozitare është e harmonizuar për mbajtje të Albin Kurtit në pushtet dhe fuqizim të pozitës së tij. Këta po flasin dhe po kalkulojnë pa gjuhën e Kushtetutës. Ky vend nuk është banditizëm, nuk është anarki, ka Kushtetutë. Këto kalkulime kanë qenë sa për t’ia dhënë shansin e shpëtimit politik Albin Kurtit nga LDK dhe AAK”, potencon Hisen Berisha.
Deputeti mohon të ketë një mundësi koalicioni me VV-në, derisa thotë se janë tejet të kundërta si parti.
“Absolutisht nuk ka kurrfarë koalicioni, s’ka kurrfarë marrëveshje për koalicion. Këto janë dy parti që janë diametralisht të kundërta, qoftë në aspektin programor, pronësor, taksave dhe politikëbërjes”, deklaron deputeti i PDK-së, Hisen Berisha