Berat Rukiqi i LDK-së ka komentuar “një lajm të mirë” që e shpërndau ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se BQK edhe sivjet ka transferuar në llogarinë e Qeverisë pjesën e ndashme të fitimit vjetor në vlerë prej 15 milionë euro.
Rukiqi tha se ajo që ka deklaruar Murati është se paratë që do të duhej të ishin për paga e shërbime më të mira janë ruajtur për “turshi dimri” me depozita me interes minimal.
“Nese kish pas çmim Nobel per amatorizem ne Ekonomi, deputeti Murati, e kish fitu pa konkurrence. A dini çka po thote ky: paret qe nuk i ka shpenzu kjo Qeveri, pra taksat tona, per ma shume shkolla dhe çerdhe, per ma shume rruge, per ma shume investime ne shendet, per paga ma te mira, e te cilat kane nejt si “turshite e dimrit”, e paskan kriju nje fitim, duke nejt si depozita me interes minimal”, ka shkruar Rukiqi.
Murati dje përmes një postimi e quajti “lajm të mirë” që BQK ka ka transferuar në llogarinë e Qeverisë pjesën e ndashme të fitimit vjetor në vlerë prej 15 milionë euro.
“Që prej se jemi shtet i pavarur, sivjet shënohet viti i dytë me radhë që BQK transferon në llogari të Qeverisë pjesën e ndashme të fitimit vjetor, ashtu siç parashihet me ligj. Vitin e kaluar ishte hera e parë që ndodhi një gjë e tillë, ku në llogari të Qeverisë u transferuan 10 milionë euro, ndërsa sivjet janë 15 milionë euro si fitim i ndarë nga BQK”, ka shkruar dje Murati.