Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media ku kanë shpallur ‘‘një hap të ri në bashkëpunimin dypalësh’’.
Belgjika ka vendosur të njohë zyrtarisht atasheun e mbrojtjes të Republikës së Kosovës në Bruksel, duke e fuqizuar përfaqësimin ushtarak dhe marrëdhëniet institucionale ndërmjet dy vendeve.
Maqedonci u shpreh mirënjohës për mbështetjen belge që nga viti 2008, duke e cilësuar këtë vendim si një hap domethënës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik
“Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj”, theksoi ministri Maqedonci.
Ndërsa ministri Francken ka theksuar se lidhja me Kosovën është historike dhe strategjike, duke e quajtur njohjen e atasheut si një “hap logjik” për përforcimin e partneritetit në siguri.
“Kosova luan rol kyç në Ballkanin Perëndimor dhe ne po tregojmë përkushtimin tonë, si në terren me KFOR-in, ashtu edhe diplomatikisht”, tha ministri Francken.