Më 5, 6 dhe 7 mars shënohen ditët e Epopesë së UÇK-së, ku nderohet vepra e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe rënies heroike të tij dhe familjes së tij marsin e vitit 1998.
E Bekim Jashari, i biri i Hamzë Jasharit, ka rrëfyer një rast të 4 marsit të atij viti.
Atë ditë, Bekimi tha se halla e tij ishte nisur me traktor nga Prekazi i Poshtëm, së bashku me burrin, në drejtim të Prekazit të Epërm duke shkuar për në Akrashticë të Vushtrrisë.
Por thotë se gjatë rrugës, ata kishin parë vëllain e tij, Blerimin 12-vjeç, që u kishte shkuar pas me biçikletë, deri te kulla e Tahir Mehës.
“Më 4 mars 1998, halla ishte nisur me traktor nga Prekazi i Poshtëm, së bashku me burrin, në drejtim të Prekazit të Epërm duke shkuar për në Akrashticë të Vushtrrisë. Blerimi u kishte shkuar pas me biçikletë, deri te kulla e Tahir Mehës. Aty, halla dhe dhëndri e kishin ndalur traktorin dhe i kishin thanë: ‘Blerim, eja me ne, vendose biçikletën në traktor’”.
“Por ai, me vendosmëri dhe me një besnikëri të pashoqe ndaj kullave të të parëve, u përgjigj: ‘Shkoni ju, se unë po kthehem, nuk mundem me i lanë kullat e babës Shaban’”, ka shkruar Jashari në Facebook.
Për të, fjalia e Blerimit “nuk ishte thjesht një fjali e thënë në çast”.
“Ishte një bindje e thellë në zemrat e çdo fëmije të familjes sonë. Askush nuk donte të largohej nga familja, nga vëllezërit, nga komandanti legjendar Adem Jashari”.
“Një ditë më pas, më 5 mars, ishin pikërisht këta fëmijë që nuk e ndalën pushkën e lirisë, duke rënë heroikisht bashkë me komandantin, me babushin, me babën Shaban”.
“Sot, 27 vite më pas, fëmijët këndojnë të lirë dhe plot ëndrra në Kosovën e pavarur. Dhe kjo liri e shpaguan çdo sakrificë, çdo pikë gjaku të derdhur nga fëmijët e familjes, të lagjes dhe të mbarë Kosovës”.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës! Kjo është Kosova jonë martire”, shkroi Bekim Jashari në Facebook.
Gjatë sulmit nga 5 deri më 7 mars, 1998, komandanti i UÇK-së Adem Jashari dhe vëllai i tij Hamëz Jashari u vranë së bashku me 57 anëtarë të tjerë të familjes.
Epopeja e UÇK-së do të përmbyllet si zakonisht me 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz dhe me programit artistik në Skenderaj.