Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se projektligji i qeverisë që është sjellë në Kuvend për ndryshimin e ligjeve që i hapë rrugë rritjes së pagës minimale i diskriminon veteranët e luftës.
Berisha tha në Kuvend se projektligji i largon veteranët nga rritja e pensionit të tyre.
“Ligji aktual për trajtimin e pagës minimale e ka specifikuar se pensioni i veteranit duhet të jetë i barabartë me pagën minimale. Pastaj kemi propozimin deri në kategorizim të veteranëve. Projektligji që e keni sjellë parasheh t’i largojë veteranët. Nëse e marrin këtë pension veteranët nuk mund të punojnë diku tjetër gjë që edhe kjo është diskriminim. Ne e shohim këtë qasje diskriminuese për këtë kategori. Dhe, kërkojmë që ky nen të largohet dhe pensionet e tyre të jenë të njëjta me pagën minimale. Këtu në Kuvend kjo kategori duhet të respektohet dhe të trajtohet dinjitetshëm përndryshe ne jemi kundër dhe nuk e votojmë derisa të ndryshohet”, ka thënë Berisha.