Analisti Artan Behrami, në një status të tij në Facebook, ka parashtruar disa pyetje për Qeverinë dhe opozitën për qasjen e tyre ndaj Gjykatës Speciale.
Behrami ka thënë se UÇK-ja është braktisur dhe nuk po trajtohet si duhet nga institucionet shtetërore.
Postimi i plotë i tij:
Disa pyetje për Qeverinë dhe disa për opozitën (Kuvend)
Çka keni bërë për të mbrojtur UÇK-në?
Cilin veprim të vetëm, që nga marrja e pushtetit, e keni bërë për të dëshmuar se keni qenë kundër Gjykatës Speciale?
A keni marrë iniciativë ligjore për plotësim/ndryshim të ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë?
A keni themeluar një komision parlamentar për të mbikëqyrur punën e kësaj gjykate?
A e keni ftuar ndonjëherë kryetaren apo kryeprokuroren e kësaj gjykate për të raportuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës?
A keni ftuar apo keni kontaktuar me ndonjë OJQ ndërkombëtare për të monitoruar punën e kësaj gjykate dhe për t’i raportuar kuvendit?
A e keni ftuar ndonjëherë ndonjë avokat të ekipeve mbrojtëse për të raportuar për shkeljet që është duke i bërë kjo gjykatë?
A keni ngritur ndonjëherë pyetje apo shqetësime pse ministrja Albulena Haxhiu, përmes Udhëzimit Administrativ, e ka pamundësuar
kryerjen e obligimeve financiare ndaj ekipeve mbrojtëse në përputhje me ligjet në fuqi?
A e keni ngrit ndonjëherë ndonjë shqetësim të Kosovës për funksionimin e kësaj gjykate në ndonjë takim ndërkombëtar që ka pasur presidentja, kryeministri apo kryeparlamentari?
A ju ka ra ndërmend që t’i jepni fund marrëveshjes midis Kosovës dhe Holandës që kjo gjykatë të funksionojë brenda Kosovës, siç ishte menduar në fillim të ketë dy seli: një në Hagë e një në Prishtinë?
A është AKI duke hetuar bashkëpunëtorët e Serbisë, dëshmitarët e blerë, të manipuluar, të cilët kanë dërguar dezinformata të manipuluara në Gjykatën Speciale?