Tentimi i dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të mospajtimeve mes partive politike dhe kundërshtimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve. Seanca, që u mbajt më 17 prill, u ndërpre përsëri për shkak të mungesës së konsensusit, duke u shtyrë për një tjetër datë, më 19 prill në orën 12:00.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë të votave dhe për përdorimin e skenarëve që, sipas tij, synojnë të sabotojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Ne pritëm që do të ketë një votim. Dhe zoti Kurti sot, ndryshe prej seancës së parë, iu deshën vetëm 50 vota për ta kaluar këtë raportin, që ai kinse me ngulm po kërkon. Por zoti Kurti nuk i ka votat. Zoti Kurit nuk i ka votuar as për raport, as për kryekuvendar e nuk i ka votuar as për qeveri. Por, ai duhet të bëhet i sinqertë, mos të bëhet hileqar, le të tregon saktë që nuk i ka votat dhe ka shpëtim edhe për këtë. Dhe sot pa ashtu u dëshmua që opozita ka shumë më shumë numra sesa që ka VV-ja.
Me përmbledh krejt, VV-ja ka ardhur me skenare me prish mbledhjen, jam i bindur do të vijnë me një skenar të shtunën, e ndoshta nuk do të vijnë fare. Do të vije një periudhë, kur ata nuk do të vijnë fare. Do të mundohen me çdo kusht me shty konstituimin e Kuvendit, por edhe kur ka iniciativa për mi kriu këto institucione, ata do të mundohen të shkelin Kushtetutën e ligjin, siç janë duke bërë. Duke mosdhënë dorëheqje, duke u treguar hileqar, duke mos respektuar ligjin që vetë e kanë miratuar…”, ka thënë Behrami në Debat Plus.