Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se është e rëndësishme që për qytetarët të definohen akterët politikë dhe të dihet se me kë kanë punë.
Sipas tij, akterët politikë sot janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili sipas tij, edhe në të kaluarën ka dëshmuar se është kundër konsensusit, kundër kompromiseve dhe kundër dialogut.
“Ka dëshmuar se ka përdorur dhunë politike dhe teknika kamikaze në politikë dhe është një njëri që ka qenë kundër procesit të shtet-ndërtimit, që nga Rambujeja, shpallja e Pavarësisë, forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar e kështu me radhë”, tha Behrami në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ndërsa sipas tij, në anën tjetër janë disa parti politike që kanë botëkuptime dhe vlerat krejt të tjera për dallim nga VV-ja dhe Kurti.
“E ke PDK-në, LDK-në, AAK-në, besa edhe Nismën dhe njerëzit e tyre që kanë marrë pjesë në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit në Kosovë. Nga liria, pavarësia edhe forcimi i shtetit të Kosovës”.
“Në grup parlamentar të VV-së ka njerëz shumë racionalë, që besoj që thellë, thellë iu pengon mendësia e liderit të tyre”, tha ai.