Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i ka reaguar ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, lidhur me deklaratat për kryetaren e Gjykatës Speciale.
Behrami postimin e tij e ka quajtur hipokrizi.
Deputeti Behrami ka kërkuar nga ambasadori që t’ia gjejë veç një rast ku në Gjermani, një i akuzuar është mbajtur në paraburgim për 5 vjet.
Postimi i plotë:
Deklarata e Ambasadorit gjerman në mbrojtje të kryetares së Gjykatës Speciale, Trandafilova, është hipokrizi e pastër.
Kjo deklaratë do të ishte legjitime vetëm nëse ambasadori gjerman të kishte shprehur, qoftë një herë të vetme më parë, shqetësimet që Gjykata Speciale është duke mbajtur Presidentin Thaçi dhe të tjerët tash e 5 vjet në paraburgim, duke shkelur të Drejtat elementare të Njeriut, që është në kundërshtim me Konventat Evropiane!
Le ta gjejë ambasadori gjerman vetëm një rast në Gjermani që ndonjë i akuzuar është mbajtur pothuajse pesë vjet në paraburgim!
Kjo deklaratë do të ishte legjitime vetëm nëse ambasadori gjerman më parë të kishte kërkuar që kjo gjykatë, meqë qenka e Kosovës, t’i vendosë simbolet e Kosovës.
Një gjykatë që është e varur nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian e jo nga Kosova, që gjykatësit janë gjermanë…është tregues i qartë se kjo gjykatë vetëm e Kosovës nuk është!