Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj sjelljes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump lidhur me zhvillimet në Ballkan.
Behrami ka kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se dikur çdo hap politik dhe ushtarak në Kosovë ndërtohej në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa sot, sipas tij, “kemi një pengmarrës të shtetit që bën gjithçka për ta larguar Amerikën nga Kosova”.
Ai vlerëson se kjo sjellje e Kurtit nuk ka të bëjë me interesin shtetëror, por me frikën e tij personale. “Një sjellje vetëshkatërruese që ka më shumë lidhje me frikën personale sesa me interesin shtetëror”, ka theksuar Behrami.
Duke renditur disa prej kërkesave të Kurtit ndaj SHBA-së pas deklaratës së Trump, Behrami përmend kërkesën për dorëzimin e Milan Radoiçiqit – të cilin, siç thotë ai, Kurti vetë e kishte amnistuar – si dhe kërkesën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Kurti e ka pranuar, mohuar, dhe më pas kërkuar garanci, nënshkrim dhe madje edhe vulë.
Behrami gjithashtu e ka quajtur të pakuptimtë edhe kushtëzimin e tërheqjes së letrës së Ana Bernabiç, duke thënë se kjo ndodh për shkak se Kurti e ka pranuar largimin e njohjes reciproke nga marrëveshja.
Sipas tij, Kurti po përdor kushtëzimin si një perde për t’u fshehur, pasi në të vërtetë i mungon vizioni dhe guximi për të udhëhequr.
“Zvarritja e krijimit të institucioneve, bllokimi i Kuvendit dhe Qeverisë janë vetëm përpjekje për të mbajtur pushtetin në gjendje paniku”, ka shkruar ai.
Behrami përfundon reagimin e tij duke thënë se frika e Kurtit nuk është frika e Kosovës, dhe se Kosova nuk është një projekt i frikës, por i sakrificës, dialogut, kompromisit dhe guximit. Ai rikujton se bashkë me SHBA-në dhe NATO-n, Kosova ka fituar luftën dhe është tashmë një shtet i pavarur.
“Fituesit nuk i kthehen logjikës së viktimës, nuk fshihen pas letrave dhe nuk vendosin kushte për aleatët”, ka shkruar ai, duke e përmbyllur me mesazhin se rruga që ka zgjedhur Kurti nuk është rruga e Kosovës.