Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur shumë i shqetësuar për arrestimin e serbëve në Kosovë, duke thënë se janë “arrestime jashtëgjyqësore”.
Rreth kësaj deklarate ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ku ka thënë se Borrell dhe të gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë mirë se Kosova nuk është një vend pa ligj.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka shkruar se rendi dhe ligji zbatohet në të gjithë territorin dhe sipas tij, askush nuk duhet t’i kërkojë Kosovës asgjë tjetër përveç vendosjen e rendit dhe ligjit.
Ai tutje ka thënë se Policia e Kosovës është institucion i respektuar dhe e kryen punën e saj sipas ligjeve të Kosovës.
“Zoti Borell dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë mirë se Kosova nuk është një vend pa ligj. Rendi dhe ligji zbatohet në të gjithë territorin. Askush nuk duhet t’i kërkojë Kosovës asgjë tjetër përveç vendosjen e rendit dhe ligjit. Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend ku terroristët veprojnë lirshëm. Policia e Kosovës është institucion i respektuar dhe e kryen punën e saj sipas ligjeve të Kosovës. Të qëndrojmë në dialog, të japim rezultate, por asnjëherë të mos inkurajojmë aktet e dhunës!” – ka shkruar Pacolli.