Fatmir Sheholli, i vetëprezantuar si drejtor i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, ka qenë i ftuar në Klan Kosova për të folur rreth punës së shërbimeve sekrete në Kosovë.
Në Rubikon, ai ka bërë një deklaratë befasuese, duke thënë se në vitin 1999 ishte rekrutuar në ShIK.
“Unë po ua them një praktik timen. Në vitin 1999, menjëherë pas luftës kam pasur ftesë prej ShIK-ut , ishte një ftesë shumë miqësore por isha i ftuar si njohës i marrëdhënieve shqiptaro-serbe.” – tha ai.
Tutje, ai ka treguar edhe kush e ka rekrutuar atë.
“Dhe, unë e kam pranuar me plot krenari që të bashkëpunojë për ta. Ka qenë Elmi Reçica dhe Latif Gashi, njerëzit kryesor të ShIK-ut dhe unë kam marrë detyra prej tyre që të shkojë në Beograd e të shoh për çështje të ndryshme që kishin të bëjnë në atë periudhë.” – u shpreh Sheholli.
Në emision, ai ka folur edhe rreth AKI-së.
“AKI-ja është e shtrirë në veri të Kosovës. Deri ku kanë mbërri dhe deri ku mund të hyjnë është çështje tjetër. E tash nuk e di se a mundet AKI-ja të depërtojë deri te kabineti i presidentit Vuçiq.” – tha Sheholli.