6.1 C
New York
Monday, November 17, 2025

Buy now

Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së: Vazhdojmë së bashku drejt fitoreve të reja

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e dymbëdhjetë zgjedhore, ku Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së.

Kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.

 

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë ai.

 

Hamza ka theksuar se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.

 

“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka shtuar ai.

 

Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.

 

“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.

 

Bedri Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi.

 

Krasniqi pas 4 viteve e 4 muajve  në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partisë.

“Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike. Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi të gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, ka theksuar Krasniqi.

Ai tha se ndjehet krenar që gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së tij, si rezultat i punës ekipore, PDK u ngrit dhe u forcua me fitore në zgjedhje lokale e komuna të rëndësishme anekënd vendit, me rikthimin e besimit të me rreth 200 mijë vota, me unitet të brendshëm, duke u bërë sërish forca më e besuar kombëtare, partia te e cila qytetarët kthehen kur vendi ka nevojë.

 

“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.

 

Krasniqi ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.

 

“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.

Të ngjashme

Të fundit