Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar sot Prof. Ass. Dr. Muzafer Shalën si kandidat për deputet, duke e cilësuar atë si një prej profesionistëve më të spikatur në fushën akademike dhe digjitale në vend.
Hamza tha se Shala vjen me mbi 20 vite përvojë akademike dhe institucionale, përfshirë edhe shërbimin si Ministër i Inovacionit. Ai theksoi se kandidatët me këtë nivel profesionalizmi janë të domosdoshëm për vizionin e ri të zhvillimit të shtetit.
“Me shumë respekt, sot e prezantoj Prof. Ass. Dr. Muzafer Shalën, një profesionist të jashtëzakonshëm me mbi 20 vite përvojë akademike dhe institucionale. Ai ka doktoruar në University of Kent dhe ligjëron në RIT Kosovo. Si themelues i British Gymnasium of Technology dhe kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin digjital të Kosovës, ai përfaqëson vizion dhe profesionalizëm,” tha Hamza.
Shala njihet për kontributin e tij në avancimin e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë, si dhe për rolin e tij në edukimin e brezave të rinj përmes angazhimit akademik dhe projekteve inovative.
Sipas Hamzës, përfshirja e profesionistëve të tillë në politikë është një garanci se e ardhmja e vendit është premtuese dhe e ndërtuar mbi vlera, dije dhe përkushtim.
Postimi i plotë:
Me shumë respekt, sot e prezantoj për deputet Prof. Ass. Dr. Muzafer Shalën, një profesionist të jashtëzakonshëm me mbi 20 vite përvojë akademike dhe institucionale, duke përfshirë edhe shërbimin si Ministër i Inovacionit.
Ai ka doktoruar në University of Kent dhe ligjëron në RIT Kosovo. Si themelues i British Gymnasium of Technology dhe kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin digjital të Kosovës, ai përfaqëson vizion dhe profesionalizëm.
Me profesionistë të përkushtuar si Muzaferi, e ardhmja është premtuese.






