Bedri Hamza ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për përkrahjen e dhënë gjatë zgjedhjeve lokale, duke theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë forca e parë në këtë komunë, si për nga numri i votave ashtu edhe për numrin e asamblistëve, raporton Scanner.
“Qytetarë të dashur, ju falënderoj që na mbështetët dhe besuat në kandidatin tonë. Falënderoj gjithashtu secilin aktivist të PDK-së që kontribuoi në këtë fushatë të bukur dhe të respektueshme”, ka shkruar Hamza.
Ai ka vlerësuar lartë punën dhe përkushtimin e ekipit, duke theksuar se ndonëse rezultati për kryetar nuk ishte ai i dëshiruari, gara tregoi standard të lartë politik e qytetar.
“PDK-ja ka dalë partia e parë me numër të votave dhe me numër të asamblistëve në Mitrovicë. Ndërsa, Ariani ka dëshmuar se integriteti, kultura dhe përkushtimi janë themeli i politikës së ndershme,” ka shtuar Hamza.
Në fund, ai ka uruar kundërkandidatin Bedri Peci për fitoren në zgjedhje, duke i dëshiruar suksese në qeverisjen lokale.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ardhmen e Mitrovicës dhe Kosovës,” ka përfunduar ai.
Postimi i plotë:
Qytetarë të dashur,
Ju falënderoj që na mbështetët dhe besuat në kandidatin tonë. Falënderoj gjithashtu secilin aktivist të PDK-së që kontribuoi në këtë fushatë të bukur dhe të respektueshme.
Edhe pse nuk e arritëm rezultatin e dëshiruar në garën për kryetar, e vlerësoj lartë ekipin për punën dhe përkushtimin e treguar. PDK-ja ka dalë partia e parë me numër të votave dhe me numër të asamblistëve në Mitrovicë.
Ndërsa, Ariani ka dëshmuar se integriteti, kultura dhe përkushtimi janë themeli i politikës së ndershme.
Z. Peci ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në shërbim të Mitrovicës dhe të qytetarëve tanë.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për të ardhmen e Mitrovicës dhe Kosovës.






