8.3 C
New York
Friday, November 21, 2025

Buy now

Bedri Hamza: PDK është gati për fitore më 28 dhjetor, do ta hapim një kapitull të ri për vendin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur mbledhjen e parë me kryesinë e partisë, pas zgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Hamza në një konferencë për media pas kësaj mbledhjeje, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike, u shpreh se PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe do të dalë fituese.

- Advertisement -

Ai tha se janë të bashkuar, të organizuar dhe me vizion të qartë për Kosovën për t’ia kthyer normalitetin, stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve.

“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, ka thënë ai.

Hamza ka njoftuar se Kryesia e PDK-së ka marrë vendime kyçe organizative për mobilizimin në çdo komunë, në çdo lagje, me çdo strukturë.

“Ne kemi një platformë të qartë qeverisëse për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se dera e PDK-së është e hapur për të gjithë që duan t’i bashkohen këtij vizioni.

“Si PDK tashmë i kemi nisur diskutimet me të gjitha degët, strukturat dhe aktivistët tanë, si dhe me çdo qytetar që ka vullnet të angazhohet e të na bashkohet për të mirën e Kosovës. Dera jonë është e hapur për të gjithë. Prandaj, ajo që mund t’ju them sot është se PDK-ja po forcohet dhe po rritet”, ka njoftuar më tej ai.

Hamza ka theksuar se PDK e mirëpret dhe e vlerëson jashtëzakonisht shumë kontributin e mërgatës në procesin zgjedhor.

“Pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë në zgjedhje është vlerë për demokracinë tonë. PDK është parti e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë ata”, ka shtuar kreu i PDK-së.

Të ngjashme

Të fundit