Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përfunduar vizitën dyditore në Washington D.C., ku zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, shkruan Scanner.
Ai e ka vlerësuar vizitën si jetike për paraqitjen e vizionit të tij mbi zhvillimin e Kosovës dhe rindërtimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.
Hamza u takua me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Ai ishte gjithashtu i ftuar në një takim përmbajtësor nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit amerikan dhe E.W. Richardson Fellow pranë Fondacionit “Heritage”.
Në takim morën pjesë edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i sigurisë në këtë institucion.
Hamza u shpreh se nga vizita është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv” për mundësitë e reja të bashkëpunimit, sidomos pas një periudhe të vështirë të komunikimit të dobësuar mes dy vendeve.
Sipas tij, Kosova pritet të rikthehet në Washington “më e fortë se kurrë”, me projekte konkrete, investime të prekshme dhe me përfshirje të thelluar të SHBA-së në diplomaci, ekonomi, energji, ushtri dhe inteligjencë.
Postimi i plotë:
Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane.
Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion.
U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.
Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë.






