Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim masiv me mijëra qytetarë në Vushtrri.
Hamza ka thënë se më 9 shkurt, nuk po vendosim vetëm për një parti, por për Kosovën.
“Vushtrria është një qytet me histori, por edhe me potencial për zhvillim. Vushtrria ka biznese të suksseshme, që sot punojnë për tregun e Kosovës, por janë edhe eksportues të rëndësishëm. Ne do t’i përkrahim me politika fiskale përmes lehtësirave tatimore dhe lehtësimit të qasjes në financa. Do t’i përkrahim me 30% grante për linja të prodhimit dhe ndryshim të teknologjisë. Për këtë, ne do të bëjmë investime konkrete në Vushtrri. Ne nuk jemi si të tjerët. Rruga rajonale nga Barileva në Bajgorë do të bëhet realitet. Kjo do të hapë rrugën për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Do ta funksionalizojmë zonën industriale, që do të tërheq investime dhe do të hapë vende pune. Këto nuk janë thjesht premtime. Janë angazhime konkrete për të cilat do të mbajmë përgjegjësi. Fitorja është në duart tona!”, ka thënë Hamza.