Takimet e para ai i ka zhvilluar kryetarët e komunave të PDK-së, të cilët i kishin mposhtur kandidatët e VV-së në zgjedhjet e fundit lokale.
I shoqëruar nga nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili po ashtu kishte shënuar rezultat pozitiv në Prishtinë, Hamza në këto takime ka prezantuar edhe pjesë të programit të tij politik.
Ai është shprehur i bindur në fitoren e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Vizitën e parë, ai e ka realizuar në Prizren, qytet ky që zyrtarët e kësaj partie i kanë dhënë epitetin e “Jerusalemit të PDK-së”.
Në zgjedhjet e fundit lokale, kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj, e kishte mposhtur kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka, dhe kishte mundësuar rikthimin e qeverisjes së PDK-së në Prizren.
Pas takimit me Totjan, Hamza është shprehur i bindur në fitoren e tij, duke u zotuar se vendit do t`i sjell një qeveri kompetente.
“Në kuadër të vizitave mobilizuese në terren, sot bashkë me Uranin i vizituam Shaqën e Kujtimin në Prizren dhe dolëm pak në Shatërvanin e bukur. PDK-ja, e cila ka dalë e para në zgjedhjet lokale, ka qenë dhe është çdoherë e gatshme për zgjedhje të reja. Vendit do t’ia ofrojmë një qeveri kompetente, të përgjegjshme para qytetarëve dhe aleatëve tanë, me një program konkret, të realizueshëm dhe me indikatorë të matshëm, të cilin do ta prezantojmë gjatë muajve të ardhshëm. Së bashku me çdo njeri vullnetmirë, me çdo qytetar që është lodhur nga kjo gjendje e pashpresë dhe dëshiron një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë, ne do ta bëjmë ndryshimin”, kishte shkruar Hamza.
Më pas, Hamza ka takuar kryetarin e Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, i cili në zgjedhjet e fundit lokale kishte shënuar fitore te thellë, duke e mposhtur kandidatin e VV-së.
Kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme ka bërë me dije se në qeverisen e tij nuk do të diskriminohen komunat.
“Me Agimin biseduam shtruar për përgatitjet që jemi duke i bërë, për organizimin që na duhet për ta marrë besimin e qytetarëve që të qeverisim me vendin. Është domosdoshmëri që Kosovën ta rikthejmë në binarët e zhvillimit, integrimit dhe anëtarësimeve, që ta forcojmë subjektivitetin shtetëror”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, në tri vitet e fundit Kosova po vendnumëron.
“Është domosdoshmëri që të depolitizohen proceset e punës, të ulen polarizimet dhe së bashku me partnerët tanë, siç jemi koordinuar gjithnjë, të ecim përpara. Kosova dhe qytetarët e saj, me patjetër duhet të lëvizin përpara, sepse mjaft kemi vendnumëruar këto vite. Ferizaji dhe të gjitha komunat e Kosovës, në qeverisjen time do të trajtohen me investime në mënyrë të balancuar dhe asnjëra nuk do të diskriminohet nga ekzekutivi i vendit”, ka vlerësuar Hamza.
Ndërsa, nikoqiri Agim Aliu e ka vlerësuar Hamzën si kryeministër në ardhje.
“Çaste të këndshme sot, me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër të Kosovës, Kryetarin e Mitrovicës së Jugut, mikun tim, Bedri Hamza, shoqëruar nga Uran Ismaili dhe Arben Mustafa, me të cilët bashkëbiseduam për qeverisjen lokale, synimet e përbashkëta e mbështetjen që meritojnë komunat, rrjedhimisht qytetarët, me projekte zhvillimore nën drejtimin e Qeverisë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe njeriu i duhur i saj, Kryeministri në ardhje, Bedri Hamza”, ka shkruar Aliu në profilin e tij në “Facebook”.
Në këto vizita është parë edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se PDK-ja po bëhet gati për ta mbështetur Bedri Hamzen.
“Në Ferizaj, te Kryetari Agim Aliu, për të shtrirë aktivitetet përgatitore në mbështetje të kandidaturës së z. Bedri Hamza për Kryeministër”, ka shkruar Mustafa.
Gazeta Nacionale ka mësuar se në dite në vijim Hamza do të takojë edhe kryetarët e komunave tjera që udhëhiqen nga PDK-ja. /Nacionale/