-3.1 C
New York
Monday, December 15, 2025

Buy now

Bedri Hamza në takim me veteranët e UÇK-së: Pa sakrificën tuaj nuk do të kishte Republikë të Kosovës, 50% rritje për pensionet e kategorive të luftës

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, ku ka ritheksuar mirënjohjen e përjetshme për sakrificën e tyre dhe zotimet konkrete të PDK-së për mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe përkrahjen e kategorive të dala nga lufta.

Duke iu drejtuar veteranëve, Kryetari Hamza tha se ata janë Kosova, mburoja e këtij shteti dhe arsyeja pse sot jemi të lirë.

“Pa sakrificën tuaj nuk do të kishte Republikë të Kosovës”, tha Kryetari Hamza.

Takimi u mbajt në një ditë me simbolikë të veçantë, përvjetorin e rënies heroike të komandantit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në ditën e themelimit te Ushtrisë së Kosovës.

“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë që nisi nga ju e me ju, ishte mënyra më e mirë për ta ruajtur dhe nderuar kujtimin e dëshmorëve të UÇK-së”, shtoi Kryetari Hamza.

Në pjesën qendrore të fjalimit, kryetari i PDK-së foli për proceset gjyqësore në Hagë, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe politike.

Ai u shpreh prerë se asnjë luftëtar i lirisë nuk do të jetë kurrë vetëm, dhe as ata në Hagë nuk janë vetëm, duke shtuar se PDK beson në kthimin e tyre si fitimtarë e krenarë në mesin tonë.

Ai kritikoi ashpër qasjen e qeverisë aktuale dhe politikanëve që, sipas tij, relativizojnë luftën e UÇK-së: “Me UÇK-në nuk luhet! Ose je me të, ose je kundër saj! Kush e sulmon UÇK-në, sulmon shtetin”, ka thënë Kryetari Hamza

Në aspektin programor, Kryetari Hamza prezantoi zotime konkrete për veteranët dhe familjet e dëshmorëve, duke premtuar rritje prej 50% të mbështetjes financiare për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe rritje të pagave dhe pensioneve.

“Liria nuk jeton me fjalë, por me punë, me vepra dhe me mbështetje”, tha ai .

Në fund, Bedri Hamza e cilësoi 28 dhjetorin si një betejë politike për dinjitet dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar: “Më 28 dhjetor: ose e mbrojmë UÇK-në, ose ajo mbetet nën mëshirën e atyre që votuan kundër veteranëve”, duke ftuar qytetarët të votojnë PDK-në dhe numrin 130 .

Bashkë për UÇK-në. Përpara për Kosovën”, ishte mesazhi përmbyllës i kryetarit të PDK-së në këtë takim solemn.

 

Të ngjashme

Të fundit